U plagos për të mbrojtur kanabisin, roja sillet për mjekim në Tiranë, plumbi i ka prekur shtyllën kurrizore

Greseld Shpataraku, 29-vjeçari nga Patosi që u plagos nga policia gjatë kontrollit për kanabis, është dërguar prej mbrëmjes së djeshme në Tiranë për ndihmë të specializuar.

Mësohet  se për shkak të plumbit të marrë nga policia ndërsa ruante fidanët e kanabisit të mbjellë në kubi, gjendja shëndetësore  e tij është rënduar.

29-vjeçari ka marrë një plumb në zonën e supit por i ka prekur shtyllën kurrizore dhe  mendohet se është paralizuar, pasi nuk lëviz gjymtyrët e poshtëm.

 

Po çfarë ndodhi dje?

I riu Greseld Shpataraku kërcënoi me kallashnikov policinë pasi këta të fundit kishin shkuar pranë parcelës me kanabis në një zonë të pyllëzuar të fshatit Gjorgoz të Njësisë Administrative Cakran të bashkisë Fier.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për ta neutralizuar dhe për pasojë shtetasi ka mbetur i plagosur.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezultoi se në afërsi të vendit ku u konstatua shtetasi me armë kishte dhe fidanë cannabis sativa të kultivuar në kubikë.  

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe arma e zjarrit kallashnikov.