Nga hapja e kontenierit tek peshimi i pakove, pamjet e sekuestrimit të 400 kg kokainë në Kosovë: 25 në hetim, 7 në burg
Autoritetet italiane kanë zbardhur sot detajet e operacionit të përbashkët mes Italisë, Shqipërisë e Kosovës i cili çoi në sekuestrimin e 400 kg kokainë.
Droga ishte fshehur në një kontejner që transportonte mish (pula) i cili ishte nisur nga porti Santos i Brazilit e kishte tranzituar përmes portit italian Gioia Taura.
Kokaina ishte e cilësisë mjaft e pastër dhe e konfeksionuar në 400 pako.
Kontejneri me drogë kishte udhëtuar drejt Durrësit me destinacion në Lipjan të Kosovës, ku kishte bazën dhe kompania për llogari të së cilës bëhej transporti i mishit brazilian.
Autoritetet italiane informojnë se janë ndaluar e vënë nën hetim 25 persona e nën urdhër arresti me burg 7 shtetas kosovarë. Akuza ndaj tyre është trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.
Personat e ndaluar janë punonjës, punëtorë e shoferë të kompanisë shqiptare.
Sipas autoriteteve italiane, kokaina e shitur me pakicë do t'i sillte grupeve kriminale një përfitm prej 100 milionë euro.
Në operacion, hetimet e të cilit vazhdojnë, morën pjesë Prokuroria e Antimafias së Reggio Calabrias, Prokuroria e Kosovës e Prokuria Speciale shqiptare si dhe autoritetet policore të tre vendeve.
Operacioni i koordinua nga Drejtoria Qëndrore e Antidrogës në Romë e nga Reparti II i Guardia di Finanza.




