Lejuan vjedhjen e energjisë, një ish-inspektor dhe dy ish-elektriçistë nën akuzë për falsifikim dokumentash
Policia e Lezhës njoftoi se ka ekzekutuar masat e sigurisë të vendosura nga gjykata për tre persona të akuzuar për falsifikimin e të dhënave lidhur me aparatet matëse të energjisë elektrike.
Mes të akuzuarve janë edhe dy ish-punonjës të OSHEE.
Pas një hetimi 3-mujor, policia tha se ka finalizuar operacionin e koduar me emrin "Faturisti".
Si rezultat i këtij operacioni u bë ekzekutimi i masës së sigurisë "Arrest në burg" për 33-vjeçarin me iniciale E. A., banues në Shkodër, me detyrë ish-inspektor pranë një kompanie private, dhe "Pezullim i ushtrimit të një detyre ose funksioni publik", për dy ish punonjës të OSHEE, 62-vjeçari me iniciale V. D dhe shtetasi me iniciale K. Z., 61 vjeç.
Tre personat akuzohen se gjatë ushtrimit të detyrës kanë falsifikuar formularët e raportit të verifikimeve të matësve elektrik në subjekte të ndryshme private ku kanë kryer inspektime, duke mos evidentuar vjedhjen e energjisë elektrike nga këto subjekte.

