Erdogan sulmon SHBA për furnizimin me armë të Izraelit: Biden "i ka duart me gjak"
Teksa kërkohet t'i jepet fund luftimeve në Gazë, Amerika mbron Izraelin në të drejtën për të reaguar ndaj sulmeve që vijnë prej militantëve islamikë nga Palestina. Turqia thotë se SHBA-ja po e furnizon Izraelin me armë dhe se presidenti Bajden është personalisht fajtor për situatën.
Turqia ka akuzuar Amerikën se po mban krahun e Izraelit dhe po zbaton dy standarde në konfliktin mes tij dhe Palestinës.
Shtetet e Bashkuara refuzuan të hënën të firmosin një dokument të Këshillit të Sigurimit që kërkonte armëpushimin, pasi nuk fajësonte sa duhet militantët e Hamasit për situatën.
Pas një telefonate me kryeministrin e Izraelit, presidenti Xho Bajden tha se SHBA-ja angazhuar me partnerët rajonalë për të rikthyer paqen.
Por nga Ankaraja, kryeshtetari Rexhep Taip Erdoan e kritikoi SHBA-në për dyfytyrësi.
Erdoani kujtoi se shefi i Shtëpisë së Bardhë, ndërsa flet për armëpushim, firmosi së fundmi një marrëveshje për t'i shitur Izraelit 850 mijë armë të reja, që presidenti turk tha se do të përdoren për të vrarë të tjerë të pafajshëm.
"Ju, zoti Bajden, po shkruani historinë me duart e lyera me gjak. Po na detyroni ta themi këtë. Territoret palestineze po mbulohen me përndjekje, vuajtje dhe gjak, si shumë territore që humbën paqen me fundin e osmanëve. Dhe ju po e përkrahni këtë.”
Izraeli dhe militantët palestinezë vijuan edhe të martën kundërsulmet me raketa, duke rrënuar kilometra të tjerë tunelesh e bunkeresh që shfrytëzoheshin nga grupi militant.
Kanë shkuar mbi 200 të vrarët në këto 8 ditë, gati gjysma gra e fëmijë në zonën e Gazës, ndërkohë që sipas bilanceve izraelite, gati 150 viktima luftonin me grupin Hamas.
Një natë më parë, në qytetet e Izraelit nuk munguan as tensionet mes komuniteteve të ndryshme etnike.

