Tirana me spital ditor, në dhjetor përfundon godina e re e sëmundjeve të brendshme

Brenda muajit dhjetor pritet të përfundojë Spitali i Sëmundjeve të Brendshme në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit së bashku me Kryeministrin në kantierin e ndërtimit.

Ndërtimi i spitalit kap vlerën e 14.8 milion eurove dhe pritet të ketë një kapacitet prej 271 shtretërish.

Manastirliu: Brenda dhjetorit përfundon ky spital dhe risia në këtë spital të ri është i gjithë shërbimi i urgjencës polivalente. Do të kemi 271 shtretër, të ndarë sipas shërbimeve të kardiologjisë, hematologjisë, endokronologjisë, gastrohepatologjisë, nefrologjisë, alergologjisë, dermatologjisë, etj.

Pasi kjo strukturë të nisë të funksionojë, godina e Urgjencës aktuale do të shndërrohet në spital ditor për të shmangur kështu fluksin në shërbimet e ndryshme.

Veç Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme është dhe ai i Pediatrik, i cili shumë shpejt pritet të trajtojë pacientët e vegjël.