"Vijmë nga ana e anës dhe ikim", kaos me vaksinat në Elbasan, qytetarët: U përdor për zgjedhje
Rreth 47.000 qytetarë të qarkut të Elbasanit kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.
Mijëra persona janë vaksinuar në qendrën masive të vaksinimit që ishte vendosur në sheshin kryesor, por tanimë tenda është hequr nga aty.
Qytetarët thonë se kjo gjë ka shkaktuar kaos, dhe ata nuk dinë nëse do të vaksinohen.
"Kemi ardhur dy herë ne, as japin përgjigje, asgjë," thotë një qytetare.
"Po duhet të ketë një njeri aty të na thotë do prisni sot, nesër, pasnesër se po vijmë nga ana e anës që presim këtu. Ç'është kjo mosmarrëveshje kështu?" thotë qytetari.
Të tjerë thonë që kishin datën e vaksinës, por askush nuk jua bën.
"Sot unë kisha datën për ta bërë dhe do iki fare. Kur t'i bëjmë, ku të ikim. As kanë lajmëruar, as datë, as ku do shkojmë nuk dimë gjë," thotë qytetari.
"Të ketë një mjek aty, një ndihmës mjek të thotë që zotërinj mos prisni," thotë qytetari.
Ka edhe nga ata që thonë se vaksina është përdorur për zgjedhje.
"E përdorën për zgjedhje nuk e di, po të bësh gjysmë ore rrugë grua plakë. Pse nuk venë një copë letër aty që janë mbaruar vaksinat ta dimë dhe ne," thotë një e moshuar.
Burimet nga drejtoria e Kujdesit Shëndetësor Parësor në Elbasan, thonë se vaksina nuk do të bëhet më në tenda por në qendrat shëndetësore ndërsa për këtë gjë nuk janë lajmëruar ende të gjithë qytetarët.
