Ditë zie për boksin, ndahet nga jeta legjenda e boksit Ahmet Golemi

Shuhet në moshën 84-vjeçare legjenda e boksit shqiptar, Ahmet Golemi. Më 5-qershor, ish-kampioni i boksit dhe komentator i njohur i këtij sporti do të mbushte 85-vjeç. Lajmin e konfirmoi familja dhe në një postim djali i tij shkruan:

"Miq dhe dashamirës! Me hidhërim të thellë njoftoj se sot u nda nga jeta babi im, Ahmet Golemi!"

Edhe mbesa e tij nëpërmjet një postimi njofton se varrimi do të bëhet ditën e sotme në orën 17:00.

"Miq dhe dashamires! Me hidherim te thelle njoftoj per ndarjen nga jeta diten e sotshme te xhaxhait te babait tim, mjeshtrit te boksit, nderit te qytetit te Tiranes Prof.AHMET GOLEMI!

Vizitat priten sot nga ora 14:00-17:00 ne shtepine e pritjes funeral "Alba 2000" prane Medresese se Tiranes.

Varrimi behet sot ne dt.15.05 ora 17:00 ne varrezat e Sharres."

Ahmet Golemi lindi më 5 qershor të vitit 1936, në Tiranë. I vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, e nisi boksin te Shtëpia e Pionierit, ku trajneri Ali Kastrati i veshi për herë të parë dorezat e boksit. Në vitin 1951, në Elbasan u shpall Kampion Kombëtar për të Rinjtë. Në karrierën e tij, Ahmet Golemi u shpall pesë herë Kampion i vendit dhe katër herë, Nënkampion.

Përveçse protagonist i ndeshjeve në ring për aq kohë sa boksi lejohej pasi në janar të 1964-ës ky sport u ndalua nga regjimi komunist, ai ishte dhe shkrimtar, publicist e dikur redaktor te “Sporti Popullor”.

Gjithashtu, Golemi ka përjetuar vitet e burgut si i burgosur politik kur më 7 maj 1979, Gjykata e Rrethit të Tiranës e deklaroi fajtor “Për agjitacion e propagandë kundër shtetit” dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie.

Simpatia për boksierin amerikan Muhammad Ali, emri i vërtetë i të cilit ishte Cassius Marcellus Clay Jr. i kushtoi Ahmet Golemit i denoncuar se “iu fliste njerëzve për Cassius Clay”-n. Boksi u hoq dhe mendimet e tij për këtë sport të ndaluar në kohën kur “Sporti Popullor” kishte dhe një rubrikë për “Degjenerimin e sportit borgjez” u konsideruan kundërvënie dhe nuk mbetën pa u ndëshkuar.

Siç do të pohonte vite më vonë në intervistat e dhëna në media “Cassius Clay shqiptar”, autoritetet i çonin fjalë se “e kishte tepruar duke folur për boksin”.