KAS hap kutitë e materialeve zgjedhore në 24 QV të Beratit

Lëvizja Socialiste për Integrim ka bindur 5 anëtarët e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore në 24 qendrat e Votimit të Qarkut Berat.

Partia e Monika Kryemadhit pretendon në këto zona ka pasur parregullsi dhe shkelje të rënda, të cilat kanë ndikuar në marrjen e mandatit të parë në Berat, për vetëm 77 vota.

"Marrjen kryesisht në cilësinë e provës të dokumentacionit dhe materialit zgjedhor që ndodhet ën kutitë e materialeve të votimit për qendrat e votimit të zonës zgjedhore qarku Berat," tha Çefa.

Çefa dhe Braho i kërkuan KQZ që t’u vinte në dispozicion informacionin nëse ka patur votim të dyfishtë në Berat.

"KAS vendosi të administrojë si provë të dhënat e kryqëzuara për të bërë të mundur evidentimin e rasvteve të votimit të dyfishtë ose familjar," shtoi ai.

Ashti si në rastin e Gjirokastrës, 3 anëtarët e KAS-it me votë kundër vendosen që të mos e marrin parasysh kërkesën e PD për t’u drejtuar institucioneve të tjera për prova shtesë, që sipas PD do të dëshmonin krimet zgjedhore të 25 prillit.

"Me shumicën e votave vendosi mos pranimin e kërkesës për marrjen e provave apo informacioneve shtesë," tha Çefa.

Për përfaqësuesin e PD, Ivi Kaso, ky veprim i përsëritur i KAS vë në dyshim vullnetin e KQZ për të hedhur dritë mbi masakrën elektorale në zgjedhjet parlamentare.

"Me një vendim që ne e quajmë  të kundraligjshëm, shkon në drejtim të kundërt të transparencës së procesit zgjedhor ende të errët të 25 prillit," u shpreh ai.

Sipas Kasos institucionet kanë refuzuar t’i japin informacionin e kërkuar nga PD, por në çdo rast selia blu do t’i drejtohet edhe Kolegjit zgjedhor.

"Por provat të cilat demaskojnë sjelljet e paligjshme dhe tërësisht të vënë në shërbim të partisë në pushtet, sigurisht ato nuk janë vënë dhe nuk do t'i vihen në dispozicion opozitës. Ne do të vazhdojmë betejën tonë me të gjitha kërkesat ankimore, jo vetëm në KAS por në të gjitha shkallët ankimoe," tha Kaso.

Të hënën KAS-i do t’i hapë 24 kutitë e materialeve zgjedhore në prani të partive politike për të këqyrur nëse përputhen me parregullsitë e pretenduara nga LSI. më pas 5 anëtarët do të vendosin nëse në këtë qark do të ripërsëriten zgjedhjet apo jo.