Vrasja te "5 Maji", lihet në burg Marjus Dema, prokuroria në pritje të ekspertizës së armës së krimit

Ndonëse prokurori deklaroi në gjykatë se rrethanat të çojnë se vrasja e Mehmet Qemës mund të ketë ndodhur nga pakujdesia, kjo nuk e ka lehtësuar nga akuzën për autorin e ngarjes 28-vjeçarin Marjus Dema, i cili është i vetmi nga të arrestuarit, që do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Për të ndaluarit e tjerë të akuzuar për “moskallzim krimi dhe kryerje te veprimeve që pengojnë zbardhjen e te vërtetës, gjykata vendosi "arrest në shtëpi', përkatësisht për Frenkli Myftarin, Xhuliano Koçin.

Ndërsa për Erlin Pekën, Blerim Hotin, Eder Pjetrin dhe Marjus Halilin u vendos "detyrim paraqitje" siç ishte kërkuar edhe nga prokuroria.

Seanca u zhvillua mes lotësh dhe të bërtiturash të autorit Marjus Dema, i cili në gjendje te rënduar psikologjike bërtiste me zë të lartë se kishte vrarë vëllain.  

Të njëjtën gjë Dema kishte thëne edhe gjatë dëshmisë se tij pas u vetëdorëzimit në polici ku ka thënë se vrasja ishte aksidentale pasi ai nuk e dinte se arma ishte e mbushur.

Sipas prokurorisë nisur edhe nga video që ka fiksuar ngjarjen autori shihet se ka marrë pistoletën, e cila ndodhej në tavolinë dhe ia ka drejtuar fillimisht Frenkli Myftarit dhe pas reagimit të tij ia ka drejtuar Mehmet Qemës, ky i fundit mësohet ti ketë thënë mos, por arma është shkrepur duke plagosur rëndë me pasojë vdekjen.

Prokurori tha në gjykatë se është në pritje të ekspertizës së armës, e cila ishte fshehur në një servis afër vendit të ngjarjes, ndërsa gëzhoja që ka qëlluar mbi viktimën nuk është gjetur ende.

Sipas prokurorisë të arrestuarit e tjerë janë munduar të fshehin ngjarjen dhe nuk kanë kallëzuar në polici.