"Nuk marr dot as gruan" transporti ndërqytetas në protestë për gjobat e pasagjerëve në kthim
Drejtuesit e furgonave dhe autoveturave taksi të Korçës, Maliqit, Devollit dhe Kolonjës protestuan kundër vendimit të bashkisë, që nuk i lejon të transportojnë pasagjerë në rrugën e kthimit.
Drejtuesit e mjeteve kundërshtojnë vendimin i cili po zbatohet prej një jave.
Për drejtuesit që kanë shkelur vendimin janë aplikuar gjoba nga policia bashkiake dhe ajo e qarkullimit.
Drejtuesit mjeteve thonë se vendimi i bashkive është në kundërshtim me ligjin për transportet.
Ata kërkojnë anulimin e vendimit, i cili i penalizon ata që janë taksapagues të rregullt.
Shoferët: Jemi gjobitur, gjoba varion nga 50-250 mijë lekë të vjetra. Kemi 30 vite me këtë punë, nuk kemi hasur probleme të tilla, që prej 1 jave bashkia së bashku me punonjësit e saj po na vendosin gjoba.
Sipas shoferëve policia bashkiake ka ngritur postblloqe duke mos i lejuar të punojnë me të vetmen punë që çojnë të ardhura në familjet e tyre.
Shoferët: Deri dje që kishin nevojë për votat, më falni për shprehjen, por na puthnin b*thën, tani nuk dalim dot që të shkojmë në shtëpi, as me gruan. Na thonë që ta bëjmë një rrugë bosh përndryshe na vënë gjobë. Ne paguajmë taksa. Mua nuk më merr njeri në punë se jam 60 vjeç. Ndalojmë me frikë se vjen bashkia.


