Galeria e Arteve drejt restaurimit, nuk ka të dhëna për fondin e ndërhyrjes
Galeria Kombëtare e Arteve duket do të jetë godina e radhës që do t’i nënshtrohet restaurimit dhe rikonstruksionit.
Ndërhyra do të kryhet në ambientet e brendshme por edhe në fasadën e godinës.
Rikonstruksioni do të realizohet përmes një tenderi dhe fituesi duhet të kryejë prishjen e soletës, murit, kollonave si dhe veshjeve.
Madje kërkohet edhe shembja e një ndërtese dy katëshe ngjitur me ndërtesën e Galerisë por edhe heqjen e murit dhe soletës midis dy godinave.
Referuar dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, ndërhyrja parashikon edhe heqjen e dyerve, vetratave dhe sistemit hidraulik.
Të dhënat në lidhje me fondin e parashikuar për këtë procedurë nuk janë ende publike.
Në APP rezulton vetëm hapja e garës nga Ministria e Kulturës, për kompanitë e interesuara që do të mbikëqyrin punimet që do të kryhen.
Fondi i parashikuar për këtë tender kap vlerën e 13.2 milionë lekëve dhe të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar kanë afat deri në datën 18 maj për të dorëzuar ofertat e tyre.
Edhe Salla e Koncerteve në Universitetin e Arteve do t’i nënshtrohet gjithashtu punimeve, por as në këtë rast nuk dihet vlera që do të vihet në dispozicion nga Ministria e Kulturës.
