“Pretendimet e PD, jo kompetencë e KQZ” Celibashi: Në 2001 janë ripërsëritur zgjedhjet në disa zona

Ankimimet e PD dhe të LSI për ripërsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në 9 qarqe do të shqyrtohen nga KAS, por pretendimet e opozitës sipas Komisionerit Shtetëror nuk lidhen me kompetencën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vendimi për të dalë me fletë votimi me numra sipas Komisionerit Shtetëror  në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet rishikuar.

Kërkesat e PD për të shpallur të pavlefshme rezultatin e 25 prillit në 9 qarqe nuk pritet të marrë një përgjigje pozitive, edhe pse do të merren në shqyrtim.

Pavarësisht se vendimi i takon KAS, Komisioneri Shtetëror Ilirian Celibashi në një intervistë për RTV ORA mendon që argumentet e opozitës janë jashtë kompetencës së këtij institucioni.

"Nëse ka bazë për ta pretenduar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në një qendër votimi apo në disa qendra votimi, apo në të gjithë zonën zgjedhore ngelet për t'u parë. Pretendimet më së shumti lidhen për aspekte të cilat nuk kanë të bëjnë me veprimtarinë apo me kompetencën e KQZ," - tha Celibashi.

Shqipëria ka precedentë të ripërsëritjes së zgjedhjeve në 10 rrethe në 2001, madje edhe në atë kohë Celibashi drejtonte KQZ-në.

"Atëherë unë kam qenë kryetari i KQZ. Kemi pasur disa raste ku kemi vendosur pavlefshmërinë e zgjedhjeve në disa zona zgjedhore," - tha Celibashi.

Ky institucion ende nuk ka bërë një analizë për 83 mijë votat e pavlefshme, por Komisioneri mendon se në zgjedhjet e ardhshme fleta e votimit me numra do të ishte një zgjedhje e gabuar.

"Përmbajtja e fletës së votimit, ashtu sikurse u miratua e ka krijuar këtë numër të madh të fletëve të votimit. Mbase do të ishte më e ulët nëse fleta e votimit të kishte të shënuar emrat e kandidatëve," - tha Celibashi.

Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit kanë qenë më të shtrenjtat në historinë e pluralizmit, por Celibashi mendon që përdorimi i teknologjisë e ka justifikuar shpenzimet.

"Patëm shpenzime për projektin e identifikimit elektronik dhe për projektin pilot të votimit elektronik. Mendoj që në të dyja rastet, projektet kanë qenë të dyja të suksesshme," - tha Celibashi.

A do t’i jepte fund vonesave dhe ankimimeve votimi dhe numërimi elektroni në 92 KZAZ e vendit? Celibashi beson se po, por pengesa e vetme është kostoja.

"Mund të implementohet dhe në rang kombëtar kjo mënyrë votimi, megjithatë duhen vlerësuar kostot dhe elementë të tjerë," - u shpreh ai.

Pasi  të përfundojë i gjithë procesi i shqyrtimit të ankimimeve të subjekteve zgjedhore, KQZ do të përshihet në një analizë të përgjithshme për të gjitha çështjet që përfshinë zgjedhjet e 25 prillit.