Lautaro: Me apo pa Conten, unë qëndroj te Interi
Interi është në një situatë delikate. Skuadra dhe tifozët po festojnë dhe bëhen gati për ngritjen zyrtare të trofeut të Serisë A dhe nga ana tjetër drejtuesit kanë kërkuar sakrifica ekonomike nga lojtarët për shkak të pandemisë. E gjithë kjo nuk duket se po ndikon për keq në disa big të skuadrës ku pas Milan Skriniar është Lautaro Martinez që konfirmon se do të qëndrojë te Interi edhe pse negociatat për rinovimin kanë ngecur.
“E kam thënë që ndihem shumë mire këtu. Nuk e di nëse është momenti për rinovimin por po punojmë me klubin. Jam i qetë dhe jetoj ditë pas dite dhe situata që po kalojnë të gjithë është e qartë. Duhet ta kuptojmë të gjithë, jemi të qetë dhe të përqëndruar. Barcelona? Ishte mundësia por sezoni shkoj drejt mbylljes, ishte pandemia dhe unë vendosa të qëndroj.”
I pyetur për raportet me Conten dhe çfarë do të bënte ai nëse trajneri Italian do të largohej, El Toro nuk ka dyshime dhe tregohet i drejtëpërdrejt.
“Me Conten nuk ka asnjëherë limite, më ka bërë të rritem shumë si lojtar. Këto dy vite kemi bërë hapa të mëdha përpara dhe shpresojmë të gjithë që ai të qëndrojë. Mua më pëlqen si trajner por edhe nëse ai largohet unë do të jem një lojtar i Interit dhe do të punojë për Interin”, përfundoi sulmuesi argjentinas.
Zërat për një krisje të mundshme të raporteve mes drejtuesve dhe Contes nuk janë rastësi pasi trajneri nuk do të jetë as në konferencë për shtyp për sfidën me Romën për të shmangur pyetje për situatën ekonomike dhe të ardhmen e tij.
