Këpuca e Artë për Lewandowskin, bomber polak nuk ka rivalë

Tre golat e shënuar nga Lewandwoski në fitoren e thellë 6-0 të Bayernit ndaj M’Gladbach jo vetëm që u kthyen në festë për titullin e fituar por ishte dhe një goditje për rivalët e polakut në garën për Këpucën e Artë.

Sulmuesi 32-vjeçar është pranë trofeut individual për herë të parë në karrierë dhe këtë vit ndryshe nga ai i sezonit të kaluar nuk ka asnjë rrezik për ta humbur. Vitin e kaluar ishte Immobile që me 2 gola më shumë i rrëmbeu trofeun Lewandowskit ndërsa tani kur sezoni po mbyllet, bomber polak është shkëputur si me gola ashtu edhe me pikët nga rivalët.

Lewandowski aktualisht ka 39 gola që të përkthyera në pikë janë 78 dhe ndjekësi më i afërt është Lionel Messi me 28 gola dhe 56 pikë ndërsa në vend të tretë është Cristiano Ronaldo me 27 gola dhe 50 pikë. Andre Silva, Haaland dhe Mbappe janë në të njëjtën kuotë pikësh, 50 por me nga 25 gola të shënuar çka tregon edhe njëherë se nuk ka rivalë për Robert Lewandowskin i cili është pranë edhe një tjetër rekordi.

 

Sulmuesit të Bayern Munchen i nevojitet edhe një gol për të barazuar rekordin e legjendës Gerd Muller me 40 gola në një sezon, rekord që mbahet që nga viti i largët 1971-1972 dhe në dy ndeshjet e fundit për bavarezët duhet të ndodhë diçka e jashtëzakonshme që Lewandowski të mos shënojë të paktën një gol.