Deschamps lë Benzema jashtë Europianit: Nuk jam Santa Claus
Çështja Benzema në Francë vijon të mos ndryshojë të paktën derisa në krye të kombëtares të jetë Didier Deschamps. Trajneri francez e ka lënë jashtë sulmuesin që pas skandalit të shantazhit ndaj ish shokut të skuadrës Valbuena dhe që atëherë Benzema nuk e ka parë më fanellën e “gjelave”.
Në një intervistë të fundit ku trajneri i kampionëve të botës në fuqi, njoftoi se do të shpallë listen për Euro 2020 me 18 Maj, Deschamps e përjashtoi kategorikisht një pajtim me lojtarin dhe grumbullimin e tij në Kampionatin Europian.
“Nuk jam Santa Claus, nuk jam këtu për të sjellë dhurata apo surpriza. Do të ketë një listë të shpallur më 18 Maj dhe do të jetë një listë e rafinuar, pasi kam disa lojtarë si Tolisso që është i dëmtuar dhe ende nuk është rikuperuar ose nuk kam informacion të saktë”.
Deschamps konfirmoi se pavarësisht listës së parë që do të dorëzojë, kryesorje dhe finale do të jetë ajo që do të dërgojë më 1 Qershor në UEFA teksa lutet e shpreson që lojtarët të mos kenë dëmtime.
“Do të kem lojtarë që do të marrin pjesë në dy finalet e Kupës Evropiane. Duhet të shpresojmë që gjithçka të dalë mire dhe të mos kemi probleme me dëmtimet, sepse fatkeqësisht nuk mund të shmangim të papriturën. E vetmja listë që ka rëndësi është ajo që ne i dërgojmë UEFA-s më 1 qershor në mesnatë”, u shpreh Didier Deschamps.
Karim Benzema sërish do të duhet ta shikojë Francën nga televizori pasi Deschamps e ka të mbyllur këtë temë edhe pse sulmuesi ka bërë një sezon të shkëlqyer me Real Madrid me 28 gola të realizuar teksa në kombëtare do të jetë edhe një si Olivier Giroud i cili jo vetëm që nuk ka gola këtë vit por as nuk ka luajtur rregullisht te Chelsea.
