Stina e dashurisë Rama-PD, Fuga: Të ftosh opozitën në bashkëqeverisje do të thotë të mos e njohësh si opozitë

Ndërsa me Presidentin ka nisur një "luftë" të hapur për shkarkimin e tij nga detyra, kryeministri Rama duket se është në një stinë dashurie me Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj Basha ku i fton për bashkëpunim që në opinionin e gjerë po shikohet si mundësi bashkëqeverisje me palëve.

Akademikut, Artan Fuga, nuk i "fle" shumë kjo gjuhë atërore e Ramës, pasi siç thotë ai të ftosh opozitën në bashkëqeverisje do të thotë që të mos e njohësh atë si opozitë.

Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma ai shpreh shqetësim edhe për qëndrimin e PD-së ndaj kësaj ftese.

Fuga: E shikoj si një ikje nga gjuha demokratike, e dyta kjo paraqitet sikur është një kthim në normalitet por për mua kthim në normalitet dhe normalitet është pikërisht kur ajo parti që ka pushtetin të ushtrojë qeverisjen kurse opozita të ushtrojë opozitën. Kjo nuk bëhet në asnjë mënyrë tjetër por përmes raportit qeveri-opozitë. Kjo nuk do të thotë që opozita të jetë dekonstruktive apo qeveria të mos dëgjojë asgjë. Nuk mendoj se është një gjë pozitive për Shqipërinë që marrëdhëniet midis opozitës dhe qeverisë të shikohen nga pikëpamja thjesht dhe vetëm e bashkëqeverisjes, e bashkëpunimit etj. Sigurisht edhe kritika, edhe opozita është një lloj bashkëpunimi brenda shtetit. Të thuash që opozita të jetë në bashkëqeverisje do të thotë që të mos e njohësh atë si opozitë.

Ajo që më shqetëson është se pavarësisht PD ka deklarata të ndryshme ku me të drejtë ka paraqitur në institucionet e drejtësisë dhe të hetimit rastet që ajo i konsideron si shkelje të kodit elektoral, ligjit, të drejtës qytetare për të votuar, do të shikojmë se sa ato argumenta  apo të dhëna janë vërtet të mjaftueshme për të gjykuar juridikisht, por shikoj se nga PD nuk ka akoma një qëndrim të prerë sesi do ti përgjigjet ftesës së Kryeministrit për një bashkëpunim. Më shumë shikoj që ka një qëndrim që "lërë të mos flasim për këtë por të shikojmë këtë çështjen e votave". I largohet kësaj çështje. Kjo më bën të them që situata është e paqartë për një studiues, qytetar. Ndoshta PD e ka të qartë vetë por për opinionin publik nuk është e qartë.

Nuk është rasti i parë që në komunikimin publik që ka PD krijohen të tilla paqartësi, ka hezitime, ka një gjuhë të dyzuar ose qëndrime të cilat të lënë deri në sekondën e fundit pa kuptuar se cili është qëndrimi i vërtet. Unë jam nga ata që si qytetar kërkoj nga politikanët e të gjithë krahëve qëndrime të qarta, të mbështetura në parime, ligje, statusin e gjithësekujt. Ikja nga kjo gjuhë dhe shmangia nga modelet mbi bazën e të cilave gjithë bota demokratike funksionon mua më shqetëson edhe kur mbrapa është një gjuhë atërore, gjithëpërfshirëse. Unë i kam frikën unitetit të frontit demokratik rreth partisë dhe të partisë rreth komitetit qëndror.

Sipas Fugës, si mazhoranca qeverisëse ashtu dhe opozita duhet të dalin me strategji të qarta për aksionin e tyre në katërvjeçarin e ardhshëm.

Por nisur edhe nga numrat që opozita ka në Kuvend, profesor Fuga nuk ka pritshmëri të mëdha për legjislaturën e re të Kuvendit.

Fuga: Nga kjo kemi ikur dhe është e mira që në mënyrë konstruktive të dy palët të përpunojnë strategjitë e tyre, të ndeshen me argumenta në mënyrë që situata të shkojë më përpara. Me aq vende sa ka opozita sot dhe me këtë mënyrë sesi është organizuar Kuvendi i Shqipërisë dhe raporti mes Kryeministrit dhe Kuvendit me aq numra sa ka, do të jetë një opozitë retorike, do të vazhdojmë si në dekadën e fundit me fjalë, me sharje, me qëndrime të forta që nuk do të prodhojnë politikë.