Ende herët të themi Covid-19 kaloi


Uljen e rasteve të infektimeve dhe fataliteteve nga Covid-19 mjekët e argumentojnë me vaksinimin masiv të popullsisë.

''Numrat në të gjithë Shqipërinë kanë një rënie maksimale. Po ky është edhe kontribut i vaksinës dhe për faktin sepse vaksinimi i mirë i personelit shëndetësor bën të mundur të mos transmetohet ky lloj virusi tek personat e tjerë.''

Pavarësisht përmirësimit të situatës së pandemisë mjeku infeksionit Gent Stroni ngre shqetësimin se të prekurit me koronavirus paraqiten në spital në gjendje të rëndë.

''Vijnë në një fazë le të themi të mesme të rëndë. Ata të cilët e kalojnë sëmundjen në mënyrë të lehtë përgjithësisht janë menaxhuar nga sistemi parësor.''

Ardhja e verës dhe rritja e temperaturave sipas mjekut Stroni nuk priten të sjellin mrekulli me pandeminë pasi ky virus ka treguar se nuk shuhet nga temperaturat e larta.

''E gjithë Evropa gjatë gjithë periudhës së beharit pati probleme. Kështu që nuk do mundemi që ta krahasojmë ose të vëmë kufij në aspektin e temperaturës ose të motit.''

Ndaj mjekët apelojnë qytetarët që të mos ulin vigjilencën ndaj rrezikut që ende nuk ka shkuar.

''Në këtë moment jemi akoma shpejt për të hequr nga pjesa e kujdesit pikërisht qoftë edhe maskën qoftë edhe distancimin. Pra jemi akoma shpejt për të thënë që kjo e keqe e madhe kaloi.''

Prej nisjes së pandemisë Shqipëria llogarit mbi 129 mijë persona të prekur me virusin sars-Cov 2 dhe 2 mijë e 330 humbje jete.