"Janë vetëm 5 minuta nga koha juaj", PS apelon qytetarët të votojnë

Në të parin mesazh për votuesit,  PS përmes zëdhënëses së fushatës, Bora Muzhaqi, apeloi qytetarët shqiptarë të dalin të votojnë dhe në këtë 1 orë që ka mbetur.

Bora Muzhaqi: Me shumë mirënjohje të gjithë atyre që votuan deri tani dhe qytetarinë e treguar gjatë gjithë ditës ku paqësisht dhe qetësisht keni marrë pjesë masivisht në këtë proces kaq me rëndësi për të ardhmen e vendit. Mbeten minutat e fundit do të thuhej në një ndeshje sportive. Dhe kush nuk ka votuar ende le të përfshihet në proces, të shkojë dhe të votojë deri në orën 19:00.

Ushtrojeni të drejtën tuaj themelore  në këtë ditë ku politika hesht dhe populli flet. Ndiqni shembullin e atyre që deri më tani e bënë detyrën e tyre dhe mos harroni se sa më shumë të marrim pjesë në zgjedhje aq më shumë politika i merr parasysh hallet, shpresat dhe ëndrrat tona. Janë vetëm 5 minuta nga koha juaj që ndikojnë drejtëpërsëdrejti se si do të jenë ditët që kemi përpara. Votoni, votoni.

Deri në orën 17:00 sipas KQZ votuan 43.60% e qytetarëve. Dibra dhe Tirana kryesojnë për pjesëmarrjen.