Meta nga Fieri: Pjesëmarrja masive në votime, vendimtare në çeljen e negociatave
Presidenti Ilir Meta, nga Fieri ku dhe ka monitoruar nga afër procesin e zgjedhjeve, i fton qytetarët të votojnë, duke shtuar se çdo shqiptar e ndjen përgjegjësinë që ka përpara vendit dhe fëmijëve të tyre.
Meta ka thënë se pjesëmarrja masive në votime do të jetë kontribut për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE.
"Dua të përshëndes të gjithë qytetarët e Fierit për pjesëmarrjen e mrekullueshme, por edhe për gjithë ecurinë e shkëlqyer të ditës së sotme këtu. Për fat të mirë, kjo po ndodh kudo në gjithë vendin. Është një nga ditët e të mrekullueshme të vendit tonë, pasi është dita kur jo vetëm të gjithë shqiptarët kanë mundësinë të tregojnë besimin që kanë te demokracia, besimin që kanë në vetvete për të qenë pjesë e kontributit të tyre për legjitimitetin e komisioneve të reja, por edhe duke treguar një mirëkuptim e bashkëjetesë demokratike, që duhet të vazhdojë deri në fund të procesit të votimit, dhe më pas edhe në administrimin e gjithë këtij procesi, sa i takon numërimit. I ftoj të gjithë qytetarët, jo vetëm ata që nuk kanë votuar, por edhe ata që kanë angazhime të tjera dhe nuk kanë pasur mundësi të qëndrojnë deri në fund, të rikthehen, të japin votën e tyre. Ftoj në mënyrë të veçantë të rinjtë e të rejat e vendit, që të tregojnë se Shqipëria ka nevojë për votën e tyre, energjinë e tyre, optimizmin e tyre. Mbarëvajtja e procesit në këtë mënyrë do të jetë kontribut për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE, përveçse do të na rikthejë në normalitetin e domosdoshëm të të gjithë institucioneve në vend."
Meta i pyetur në lidhje me marrëdhënien që ka me Ambasadoren Amerikane, Yuri Kim, ka thënë se marërdhëniet e tij me SHBA-në , kanë qenë dhe do të mbeten të mira.
“Marrëdhëniet e Ilir Metës me SHBA kanë qenë dhe janë dhe do të mbeten të shkëlqyera. SHBA janë me popullin e Shqipërisë dhe beson te demokracia. Edhe ata do të jenë të kënaqur me çeljen e BE. I ftoj qytetarët që të votojnë për alternativën që kanë dëshirë. Do i ftoja që brenda kësaj alternative, të zgjedhin kandidatin apo kandidaten që kanë më shumë besim që do të mbrojë interesin e tyre.”.