SPAK thotë se do të verifikojë audiopërgjimin e Lames

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK tha të martën se do të verifikojë një audiopërgjim të publikuar nga gazetari Artan Hoxha, ku drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame dëgjohet të rekomandojë që të mos u kthehet përgjigje pronarëve të 100 mijë objekteve informale që nuk plotësojnë kushtet për legalizim, pasi mund të kalojnë me palën tjetër, raporton BIRN.

Lexo edhe- Audioskandali i Artan Lames, premton legalizime të paligjshme për 100 mijë objekte në këmbim të votës

Sipas audiopërgjimit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës kishte hartuar një skemë manovrimi në mënyrë që të përfitojë votat familjet që janë në proces legalizimi e të cilat në bazë të ligjit nuk përfitojnë.

Në audioregjistrim dëgjohet kreu i Kadastrës, Artan Lame, i cili në një mbledhje me dyer të mbledhura vë në lëvizje strukturat e tij në favor të PS, pas direktivave që siç thotë ka marrë në takim me kryeministrin.

"Atëherë u ra ndakort në këtë takim që llogjika është që ne do vazhdojmë ta mbajmë situatën varur për këtë pjesë".

Sipas audios së publikuar Lame kërkon që qytetarët të mbahen pranë PS edhe duke i gënjyer me leje legalizimi.

“Që në këtë moment na dalin rreth 100 mijë leje, 100 mijë objekte të cilët ne me vetëdije do vazhdojmë ti mbajmë se janë njerëz po i the që nuk të bëhet ja hodhe palës tjetër, i ktheve për mall për palën tjetër, pra do vazhdojnë të trajtohen, do shikohet, do ta trajtojm, do ta diskutojm, do ta rishohim ëëë, atë, ëë kur të rishihet ëë legjislacioni…

Në lidhje me përgjimin, reagoi edhe vetë kreu i Kadastrës Artan Lame i cili theksoi se biseda i përket vitit 2017.

Aty jemi pas zgjedhjeve të atij viti, pra nuk mblidhemi për të blerë vota se votat i kishim marrë, dhe po diskutojmë se si do të trajtojmë objektet që, me ligjin e trashëguar nga Saliu, nuk mund të legalizoheshin dot.”

Si argument për pretendimin, Lame përmendi shifrat e legalizimeve, që sipas tij kanë ndryshuar.

Ai thekson se të gjitha shifrat që përmenden në bisedën e tij ai i ka thënë edhe publikisht.

“Pra, aty them 150 mijë legalizime, sot kemi tejkaluar 210 mijë. Aty them që kanë mbetur edhe 170 mijë por ndërkaq prej këtyre 60 mijë të tjera u bënë. E vetmja shifër ku nuk lëviz, janë rreth 90.000 ndërtime që nuk mund të legalizoheshin me ligjin e asaj kohe dhe këtë e kam thënë sa e sa herë edhe në media”.

Kreu i Kadastrës në reagimin e tij thekson se ligji i vitit 2020 parashikon zgjidhje për të gjitha kategoritë që përmenden në bisedën e publikuar ndërsa shton se e folura e tij aty është politike.