Karantinë për emigrantët, Dervishaj: Siguria kombëtare detyrim kushtetues, por pa cënuar të drejtën e votës

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi në mbledhjen e ditës së djeshme se, të gjithë qytetarët që hyjnë në Shqipëri nga Greqia apo Maqedonia e Veriut duhet të karantinohen për një periudhë dy-javore.

Sipas tij, një masë e tillë bëhet për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe moslejimin e përhapjes së virusit.

Por gazetarë, analistë, opozita dhe vetë Shoqatat e Emigrantëve në Greqi e shohin këtë vendim si një manovër për të moslejuar votën e tyre më 25 prill.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe Këshilltari Juridik i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ai e quan të gjithë këtë një hipokrizi, manovër dhe përpjekje që sipas tij do të dështojë.

Sipas Dervishajt, qeveria mund të bëjë teste të shpejta në kufi nëse shqetësohet për shëndetin e qytetarëve, ndryshe argumenti bie, përcjell Ora News.

Lexo edhe: Vendimi për karantinë, Shoqatat e Emigrantëve denoncim te Presidenti: Pengon të drejtën për votë

Reagimi i plotë i Dervishajt:

Hipokrizi, manovër, përpjekje që do dështojë

Fillimisht bën çmos për ti pamundësuar ushtrimin e të drejtës së votës.Tani bën çmos që të dekurajojë emigrantët nga Greqia që dhe po erdhën për të votuar, do t'i izolojë me arrest shtëpie, me argument pandemie!!!

Test të shpejtë në pikën kufitare, meqë ju griu meraku i përhapjes së epidemisë. Në të kundërt argumenti bie.

Shteti ka detyrimin kushtetues të garantojë sigurinë publike, pa cenuar aspak ushtrimim e të drejtës për të zgjedhur.

E drejta për të zgjedhur është universale, kushtetuese, dhe nuk mund të kufizohet për asnjë shkak veç atyre që parashikon kushtetuta në nenin 45.

Argumentet e tjera, dështim i radhës.