Gropa me ujë e baltë në Laprakë, banorët: Ka 20 vjet që është kështu, bashkia nuk na përgjigjet
Kanë mjaftuar vetëm disa reshje shiu që rruga "Vangjel Noti" në Laprakë të përmbytet,duke u bërë e pakalueshme jo vetëm për drejtuesit e automjeteve por edhe nga këmbësorët.
Gropa me ujë dhe baltë, kjo është gjendja e rrugës.
Banorët tregojnë që kërkesat drejtuar pushtetit vendor, nuk kanë marr zgjidhje, pasi gjithmonë zona ka vuajtur mungesën e investimeve.
“Kështu jemi, pa kanalizime, pa rrugë makinash ka 20 vjet. Gjithmonë kemi kërkuar të bashkia po nuk marrin vesh,” thotë një banore.
Vështirësitë më të mëdha janë për fëmijët të cilët çdo ditë kalojnë ne këtë segment kaq problematik.
“Na bëhen atletet gjithmonë me baltë edhe është pak keq nga shokët të na shohin ashtu,” thotë një fëmijë.
Madje një prind tregon se shpesh është detyruar të paguajnë lekë shtesë shoferit që siguron transportin e fëmijëve, për shkak të përmbytjeve.
“Për arsye se këtu bllokohet prej ujit, paguaj 20 mijë lekë fugonin të vijë ta marrë djalin këtu sepse nuk ka ku kalon deri të asfalti,” thotë ai.
Edhe pse në prag të zgjedhjeve parlamentare, qytetarët i kanë humbur të gjitha shpresat për rehabilitimin e kësaj rruge.
“Duhet bërë, po kush e bën. Ta bëjë nëna ime që është në varr se shteti që kemi ne..,” thotë banori.
“Unë kam besim që kjo do rregullohet, por unë nuk e di a pres aq ditë që ta shijoj këtë ndryshim,” thotë banori.
Rreth 130 familje u duhet të përballen me problemet infrastrukturore ne kete lagje te Laprakes.