Skandali me databazën, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave hetim administrativ: Jepni fund kësaj loje të paligjshme

Në reagimin e parë publik për skandalin me të dhënat e 910 mijë qytetarëve të Tiranës, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave njoftoi se ka nisur një hetim administrativ.

Zyra e Komisionerit kërkon ti jepet fund kësaj loje të paligjshme të publikimit të dhënave nga kushdo qoftë.

Redi Skënderaj: Publikimi i të dhënave personale përbën shkeljen më të rëndë të jetës private dhe të drejtës së qytetarëve për mbrojtjen  e të dhënave të tyre personale. Kjo e drejtë është e sanksionuar në Kushtetutë. Zyra e Komisionerit ka nisur tashmë një proces hetimi administrativ, rezultatet e të cilit do të bëhen publike brenda afateve ligjore.

Dispozitat urdhëruese të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale në fuqi si dhe çdo standard etik profesional i çdo kontrolluesi publik apo privat detyron këta të fundit të ndërpresin çdo vendim të kundërligjshëm që lidhet me publikimin e të dhënave personale të shtetasve. Liria e shprehjes është e garantuar dhe përbën një nga themelet kryesore të një shoqërie demokratike që në qendër ka individin dhe të drejtat e tij për jetën private.

Zyra e komisionerit vlerëson se ushtrimi i lirisë së shprehjes dhe të shtypit kur në objekt të saj ka të dhëna personale para së gjithash duhet realizuar duke mbajtur parasysh faktin se interesi i lartë publik dallon nga interesi për publikun. Rrjedhimisht çdo publikim mediatik apo në faqe të ndryshme interneti apo aplikacione të ndryshme i të dhënave personale të shtetasve shqiptarë duhet të realizohet vetëm në përputhje me interesin publik që bart publikimi përkatës.

Publikimi i të dhënave të qytetarëve pa asnjë lidhje me thelbin e lajmit nuk përbën interes publik.Qarkullimi dhe publikimi online i të dhënave të shtetasve në pjesën dërmuese të rasteve të konstatuara rezulton të jetë në tejkalim të interesit publik dhe rrjedhimisht përbën cënim në shkallë të gjerë të jetës private dhe më tej familjare të çdo shtetasi që është subjekt i këtij publikimi.

Këto publikime si dhe çdo qarkullim online ose manual i të dhënave në fjalë përbëjnë një lojë të rrezikshme dhe me pasoja të pakthyeshme për shtetasit shqiptarë.Për këtë arsye zyra e Komisionerit kërkon ti jepet fund kësaj loje të kundraligjshme nga kushdo. Apelojmë çdo qytetar të mos bëhet pjesë e skemave mashtruese me të dhënat personale të vëna në zbatim përmes faqesh interneti apo aplikacionesh të ndryshme pasi siç po ndodh në praktikë abuzimi me to mund të realizohet fare lehtësisht ndërsa riparimi i pasojave të dëmshme për jetën private mund të jetë afatgjatë dhe madje i pakthyeshëm.