Databaza me të dhënat personale të qytetarëve, Soreca: Ti lëmë autoritetet të flasin

Ambasadorët e BE do të presin përfundimin e hetimeve për të dalë me një qëndrim për skandalin e sigurimit dhe përdorimit të të dhënave personale nga Partia Socialiste për qëllime elektorale.

Soreca: Ne po e ndjekim shumë afër situatën, jemi në ndjekje, kemi informacion, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave po heton, gjithashtu dhe SPAK po heton. Është shumë e rëndësishme ti lëmë këto dy autoritete të hetojnë dhe më pas do të dëgjojmë rezultatin përfundimtar dhe do mbështetemi aty.

Ambasadori i BE, Luigi Soreca, ambasadorja franceze Elisabeth Barsac dhe ambasadori gjerman Peter Zingraf ishin në Elbasan ku takuan përfaqësues të partive kryesore në garë për 25 prillin.

Para mediave zbuluan mesazhin që u lanë pas dyerve të mbyllurave të selive politike

Soreca: Ajo çka është vërtet e rëndësishme dhe mjaft thelbësore për është që këto zgjedhje të jenë të lira, të ndershme dhe transparente dhe që të gjithë partitë të pranojnë rezultatin. Dëgjuam shqetësime për blerjen e votës, mos harroni se shit blerja e votës është vepër penale! Këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme jo vetëm për qytetarët shqiptarë por edhe BE, të ardhmen e Shqipërisë në BE.

Ambasdorja franceze theksoi retorikën e ashpër të fushatës në Shqipëri, ndërsa diplomati gjerman tha se 25 prilli ëshyë moment i rëndësishëm për rrugën drejt BE.

Barsac: Unë mendoj që heqja e gjuhës së urejtjes do të ishte një gjë e rëndësishme në zgjedhjet këtu në Shqipëri. Është me shumë rëndësi që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme dhe të votohet pa u intimiduar, pa shitur dhe pa blerë votën.

Zingraf: Këto zgjedhje janë shumë thelbësore për Shqipërinë dhe BE dhe më vjen shumë mirë që gjendemi këtu, folëm me disa nga kandidatët.

Për të shmangur çdo keqinterpretim që mund ti bëhet, ambasadori i BE sqaroi mungesën e Monika Kryemadhit.

Soreca: Kryemadhi që është udhëheqja dhe në krye të listës është duke bërë fushatë në pjesën tjetër të vendit, por jemi në raport të ngushtë, dëgjojmë shqetësimet e tyre, por le të mos lexojmë atë që nuk është.

Procesi zgjedhor i 25 prillit do të monitorohet nga 40 ekipe vëzhguesish të ardhur nga vendet e BE.

https://youtu.be/g7Ur7Kpduhg