Rama në Skrapar: Po të kisha një gotë raki do ta ngrija për shëndetin e Ilir Metës

Kryeministri i vendit, Edi Rama në takimin e sotëm elektoral në Skrapar, ka folur për LSi dhe Presidentin Meta.

Rama shprehet se nëse kjo familje qëndron e bashkuar Shqipëria është në duar të sigurta. Gjatë fjalës së tij, Rama thotë se nuk do ta shohë keq zotin Meta dhe familjen e tij sepse ka ngrënë bukë me ta dhe thotë se do të ngrinte një gotë raki për shëndetin e Ilir Metës.

Rama: "U bëmë si shtëpi të çmendurish, bashkohu, ha darkë, festo, ndahu. Ku iku? Iku te mullixhiu. U bë shtëpi e marrë dhe nga kjo fitoi gjithmonë Saliu. Vetëm një herë ka fituar PD në 1992. Në 2005 fitoi se u nda kjo familje, kur ka fituar tjetër? Fitoi në 2009, fitoi se na iku mulluxhiu prapë. Po ju them, për sa kohë kjo familje rri e bashkuar, për aq kohë Shqipëria është në duar të sigurta dhe nuk ka forcë që e përmbys fuqinë e madhe të bashkimit të kësaj familje. Kjo është fare e qartë.

Tani ka arritur në fazën e degradimit përfundimtar. Është ngushtuar rrethi i kandidatëve dhe përfaqësuesve të asaj partie tek krushqia, tek barku i shtëpisë, nuk i besojnë më askujt, e pushkatuan Luan Ramën në mes të Vlorës. U bë simboli i gjallë i asaj këngës “mora luftën, dola malit”. Iku, e pushkatoi në mes të Vlorës.

Këtu nuk mungon asgjë përveç bashkimit dhe ecjes përpara.

Doja të flisja më shumë dhe  po të kisha një gotë rakie do ta ngrija më shumë sinqeritet  për shëndetin e Ilir Metës dhe familjes së tij. Kam ngrënë bukë me ta, nuk dua t’i shoh keq, pastaj gotën e dytë do doja ta ngrija për referendumin e Vlorës dhe për votën e 25 prillit të Skraparit që të jenë një referendum dhe një votë që t'i thonë Ilirit  boll tani, zbrit nga maja se na turpërove."