Brataj: Ka jo pak infektime pas dozës II të vaksinës, duhet pasur kujdes, antitrupat prodhohen pas 7-10 ditësh

Kreu i Urgjencës Kombëtare dhe anëtari i Komitetit Teknik të Ekspertëve, Skendër Brataj, përmes një postimi në Facebook shkruan se ka pasur edhe raste të infektimeve edhe pas marrjes së dy dozave të vaksinave.

Sipas Bratajt, se raste të tilla riinfektimesh janë vënë re për të gjitha llojet e vaksinave dhe se infektimi mund të ndodhë të ditët para se vaksinat mund të krijojnë imunitet te një individ.

Brataj: Kujdes! Që nga fillimi i vaksinimit ka pasur jo pak raste infektimi me SarsCov2 edhe në ato raste kur është marrë doza e parë e vaksinës. Nuk është vaksina që shkakton sëmundjen e Covid-19, por infektimi me SarsCov2. Specifikoj se ka pasur raste për të gjitha llojet e vaksinave që janë administruar në Shqipëri! Antitrupat kundër SarsCov2 fillojnë në javën e dytë pas injektimit të vaksinës. Po ashtu përgjigja imunitare pas dozës së parë nuk është e lartë që të na mbrojë nga infektimi, por sidomos nga format e rënda.

Antitrupat fillojnë të prodhohen në nivele të larta pas 7-10 ditësh nga marrja e dozës së dytë. Vërtet që vaksina ul infeksionin dhe rastet e rënda, por nëse infektohemi në periudhën midis dozës së parë dhe të dytë rreziku është i lartë. Ne mund të infektohemi dhe të shfaqim sëmundjen e Covid-19 me të gjitha format e saj, të lehta, të mesme dhe të rënda. Respektimi i masave mbrojtëse është i domosdoshëm, sidomos në këtë periudhë tranzitore. Edhe pak durim, derisa të fitojmë këtë betejë të fundit me virusin. Jeta është pasuria më e madhe që kemi, prandaj ne duhet ta ruajmë atë!