Pa rivalë në zgjedhje, Florentino Perez sërish president i Real Madridit
Real Madridi do të ketë edhe për 4 vite të tjera Florentino Perezin si president të klubit të futbollit dhe basketbollit. I vetëm në zgjedhje dhe pa të tjerë kandidatë, data 13 Prill sipas artikullit 40 të Këshillit Zgjedhor të klubit, ai automatikisht rikonfirmohet në krye të gjigandit spanjoll.
Perez tanimë do të vijojë planin për ta bërë klubin madrilen edhe më të madh e prestigjoz seç është me një sërë projektesh si në infrastrukturë ashtu edhe në atë sportiv.
Një prej tyre është rinovimi i “Santiago Bernabeut” i cili pritet të përfundojë në 2022 ose maksimumi në fillim të 2023 çka do të sjellë në arkën e klubit afro 200 mln Euro të ardhura në vit ndërsa në anën sportive, presidenti i konfirmuar dëshiron të sjellë emra të mëdhenj që do të pushtojnë futbollin në vitet e ardhshëm si Mbappe, Haaland apo Alaba.
Një tjetër objektiv për Perez janë edhe rinovimet në skuadër duke nisur nga ai më emergjenti si Sergio Ramos për të mos harruar edhe atë me trajnerin Zidane i cili deri në dhjetor flitej për një shkarkim ndërsa tani mund të hedhë firmën në një kontratë te re që do ta mbajë gjatë në “Bernabeun” e ri.