Sevilla luan tenis, festival golash ndaj Celta Vigos

Ishte mbyllja më e mirë që mund të bëhej e javës së 30-të, të Primera Division. Celta Vigo-Sevilla dhuroi një ndeshje me gola, përmbysje dhe ripërmbysje teksa përfundoi 4-3 në favor të andaluzëve.

Miqtë kaluan menjëherë në avantazh në minutën e 7’ me Kounde teksa një dy golësh i Iago Aspas përmbysi rezultatin për 3 minuta në favor të Celtas. Nuk mbaron këtu pjesa e parë pasi sërish Sevilla gjeti barazimin me Fernando në 35’ por sërish vendasit me Mendez në 43’ e mbyllën fraksionin e parë në avantazh 3-2, spektakël i vërtetë me 5 gola në 45 minuta.

Pjesa e dytë nis me vrull të madh për ekipin e Lopeteguit dhe Rakitiç e çon në 3-3 sfidën ndërsa argjentinasi Papu Gomez përmbys gjithçka në 76’ dhe i jep andaluzëve një sukses tepër të merituar 4-3 që e konfirmon tani Sevillan si një ekip pretendent për titull. Janë vetëm 6, pikët që ndajnë Sevillan me vendin e parë që zotërohet nga Atl. Madrid dhe në 8 javë ku luhet për 24 pikë mund të ndodhë gjithçka.