Greva e ish të përndjekurve, policia refuzon lejen, paralajmërojnë padi ndaj Veliaj për shpifje

Policia ka tentuar të ndalojë grevën e të përndjekurve  politikë ndërkohë që ata shprehen të vendosur për rezistencë. Në ditën e tretë të refuzimit të ushqimit, grevistët hedhin poshtë akuzat për ndikim politik dhe paralajmërojnë se do të padisin për shpifje kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Sipas tyre rezistenca do të shtrihet edhe në rrethet tjera të vendit.

Të përndjekurit politikë zhvilluan ditën e katërt të grevës së urisë.

Përjashtimi nga skema e dëmshpërblimit financiar dhe refuzimi idhënies së pensionit për punën e papaguar të të dënuarve e të persekutuarve politikë ka sjellë përshkallëzimin e protestës.

"Jemi përjashtuar nga skemat e dëmshpërblimit, kemi vite që protestojmë."

"Sa të burgosur marrin pension të posaçëm? Ne jemi të gjithë pa pension, pa gjë fare. Kemi një tufë shoqata hajdutësh, gjoja antikomuniste. 30 vjet, vetëm kanë mbushur xhepat e tyre."

Edhe pse me një numër të kufizuar pjesëmarrësish, greva është refuzuar nga drejtoria e Policisë së Tiranës me argumentin e ndalimit të grumbullimeve.

"Ndërkohë që shohim sa grumbullime bëhen nga partitë politike këtyre u është refuzuar me argumentin anti-Covid. Është një ligj selektiv."

Grevistët hedhin poshtë akuzat se janë organizuar politikisht ndërkohë që paralajmërojnë ngritjen e një padie për shpifje ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.

"Një denoncim publik për kryetarin e bashkisë Tiranë që ka deklaruar se kjo është grevë e organizuar nga Ilir Meta. Sot po bëjmë gati një padi civile ndaj kryetarit të Bashkisë i cili shpif dhe politizon këtë grevë të njerëzve të persekutuar nga sistemi komunist por dhe nga sistemi pas rënies së komunizimit për 30 vjet të tjera".

13 grevistët shprehen të vendosur për t’i bërë rezistencë policisë, duke paralajmëruar ta zhvendosin atë në Qafe Bari në Bulqizë, ndërkohë që synimi i tyre është zgjerimi i këtij reagimi në të gjitha rrethet e Shqipërisë.