Vrasja e korçarit në Selanik, për shkak se mbrojti mikun e tij rus. Ja si u zbuluan 3 autorët
Emigranti shqiptar, Spartak Dervishi, është vrarë nga bashkëkombas të tij në Selanik të Greqisë pasi i ka dalë në mbrojtje një shtetasi rus. Në këtë përfundim arritën hetimet e nisura në Greqi dhe që vijuan në Korçë pas zhvendosjes së dosjes nga autoritetet helene. Sipas hetimeve, viktima i cili ndodhej në një lokal me mikun e tij, u konfliktua me shqiptarët që nisën të fyenin shtetasin rus.
Vrasja e Spartak Dervishit, një punonjësi Fast-Fudi në Selanik të Greqisë, ka ndodhur për shkak se viktima, i ka dalë në mbrojtje mikut të tij rus, i quajtur Mamugka Tsiklauri.
Të dy së bashku punonin në një “Fast-Food” dhe pasi kanë përfunduar punën janë larguar me një motor, duke qëndruar në ambjentet e një birrarie, për të pirë cigare dhe birra.
Në dosjen e prokurorisë, të cilën “Ora News” e disponon thuhet se pikërisht në këtë birrari ndodheshin dhe disa shtetas shqiptarë, të cilët komunikonin shqip dhe ofendonin shtetasin rus.
Në këtë moment Spartak Dervishi, është afruar pranë bashkëpatriotëve të tij, ku ka filluar të bëjë një bisedë të tensionuar me ta.
Më pas dy nga personat janë larguar, ndërsa personi tjetër ka qëndruar në lokal, duke vijuar me sharje dhe ofendime.
Gjithçka ka ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit të datës 18 maj 2020, kur kanë mbëritur në lokal dy djemtë e tjerë që ishin larguar disa minuta pas sherrit.
Sërish Spartak Dervishi, ka filluar të debatojë me ta në gjuhën shqipe, por shumë shpejt debati është përshkallëzuar pasi djemtë nga Shqipëria, filluan të qëllonin, Dervishin me grushta, shkelma dhe thikë.
Më pas, thuhet në dosjen e prokurorisë, djemtë janë larguar me shpejtësi, ku dy prej tyre janë larguar nga Shqipëria.
Hetimet për këtë vrasje të ndodhur mes shqiptarëve në rrugën “Kasandra”, fillimisht janë zhvilluar nga policia greke.
Kjo e fundit ka mundur të identifikojë dhe arrestojë, shqiptarin Romarjo Tahiri, person i dënuar nga drejtësia Shqiptare për “trafikim dhe shfrytëzim për prostitucion” të dy vajzave të reja.
Gjatë zhvillimit të procesit hetimor Romarjo Tahiri, i ka treguar policisë greke, se në këtë krim kanë marë pjesë dhe dy shqiptarët e tjerë nga Korça,Orgel Xhambazi dhe Medi Ganolli.
Për shkak se këta dy persona janë larguar në drejtim të Shqipërisë, në muajin qershor 2020 autoritetet greke kanë kërkuar ndihmën e palës Shqiptare, me qëllim kryerjen e verifikimeve dhe pyetjen e personave.
Pas një hetimi të zhvilluar në Shqipëri që ka zgjatur 10 muaj, në 6 prill është mundur të realizohet arrestimi i Orgel Xhambazit dhe Medi Ganollit në qytetin e Korçës.
Tashmë ata akuzohet për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, dhe se hetimi ndaj tyre do ndiqet nga prokuroria e Korçës.
Aktet hetimore për këtë vrasje janë transferuar nga Greqia në Shqipëri dhe tre pjesëmarësit në ekzekutimin e Spartak Dervishit, do gjykohen në Shqipëri.
Pritet që në ditët në vijim të ekstradohet nga Greqia dhe bashkë-autori tjetër, Romarjo Tahiri.