Kokaina me banane, nesër në gjykatë dy pronarët e “Masabi Fruits", nuk pranojnë akuzat

Erion Peti dhe Klajdi Xibraku, dy pronarët e kompanisë “Masabi Fruits” do dalin nesër në orën 10:00 para Gjykatës së Durrësit për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” që ka kërkuari përfaqësuesi i prokurorisë.

Përgjatë 48 orëve Peti dhe Xibraku, nuk kanë pranuar se janë pjesë e linjës së trafikut të kokainës nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë.

Dy pronarët, treguan në polici se kontinjerët meren me qera dhe nuk përcaktohen nga ana e tyre, por nga kompania që ka në pronësi kontenjerin.

Sipas personave të arrestuar, ata kanë përgjegjësi vetëm për mallin që ndodhet brenda kubaturës së kontinjerit që janë bananet apo frutat e tjera ekzotike.

Ndërsa për sa i përket ngarkesës së kokainës që futet në strukturën e jashtë të kontinjerit, pikërisht në pjesët e modifikuara, Xibraku dhe Peti, kanë treguar se nuk kanë dijeni.

Dy të arrestuarit kanë vënë në dispozicion të prokurorisë së Durrësit, disa e-maile që kanë shkëmbyer me kompaninë ekuadoriane ku blinin bananet.

Por kjo nuk i ka shpëtuar ata nga ndjekja penale dhe dyshimet si të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës.

Të ndaluarit, kanë pranuar se për hir të biznesit kanë udhëtuar disa herë në drejtim të Ekuadorit, por vizitat në këtë shtet kanë ndodhur vetëm për shkaqe pune, duke vendosur kontaktet me kompanitë e tregtimit të bananeve. “Masabi Fruits”, është një kompani e themeluar dy vite më parë në Shqipëri.

Policia kriminale dhe strukturat e hetimit të drogës, mësohet se kanë pasur edhe më parë informacion, se nëpërmjet kësaj kompanie trafikantë shqiptarë me qëndrim në Ekuador dhe në Shqipëri, realizonin tranportimin e drogës.

Megjithë informacionet e dyshimta, agjentët kundër narkotrafikut asnjëherë nuk morën masa për një kontroll të befasishëm në magazinat e kësaj firme. Por pasditen e së shtunës në Portin e Durrësit, pikërisht në kontinjerin e kësaj kompanie janë sekuestruar 142 kg kokainë.

Sasia e drogës ishte e ndarë në pako me shënime të ndryshme, duke bërë që policia të ngrejë dyshime të forta se sasia e drogës i përket tre grupeve kriminale nga Shqipëria.

 


Hetimet për këtë rast të trafikut të drogës, janë në vijim e sipër dhe pritet që në ditët në zhvillim të ketë zhvillime të tjera.