Pedagogët e Shkodrës kërkesa politikës: Të ndryshojë Ligji i Arsimit të Lartë, duhet reflektim për pseudoreformat
Kanë zgjedhur jo pa qëllim kulmin e fushatës elektorale për të dalë me një qëndrim të prerë.
Përfaqësia e asamblesë universitare në universitetin "Luigj Gurakuqi" kërkon që parlamenti i ardhshëm të rishohë pjesërisht ose plotësisht ligjin për arsimin e lartë.
Veçanërisht duan ndryshime në nenet për autonominë universitare dhe mbështetjen e kërkimit dhe kualifikimit shkencor në universitete.
"Vëmendjen e politikës, nevojën e hartimit të një strategjie kombëtare për mbështetjen e arsimit në të gjitha nivelet, nevojën e hartimit të një strategjie kombëtare për të ndaluar largimin masiv të rinisë studentore," thotë Arben Prendi, pedagog.
Politikës nga ana tjetër i kërkojnë mbështetje serioze për universitetin e Shkodrës që sipas tyre nuk duhet t'u shërbejë atyre vetëm për këtë periudhë që të mbushin takimet elektorale, e më pas ta lënë në harresë.
"Të ndërtojmë një të ardhme ku të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet të gjithë, sipas punëve, meritave të tyre dhe jo sipas përkatësive politike apo klanore," thotë Prendi.
Duke ripërsëritur thirrjen që politika, të mendojë seriozisht për fatin e vendit, pedagogët e Shkodrës kërkojnë reflektim për ato që i cilësojnë pseudoreforma dhe eksperimente të dështuara në kurriz të shqiptarëve.