Gjykata "rrëzon" bashkinë, pezullon vendimin për prishjen e pallatit të dëmtuar nga tërmeti

"Shtëpitë janë të banorëve, jo vetëm atyre që iu prish nga tërmeti dhe që do marrin një shtëpi të re, në disa raste jo vetëm më të madhe dhe me vlerë më të madhe pasi do jenë në një zonë urbane të zhvilluar."

Për këto deklarata të vazhdueshme të kryebashkiakut Veliaj, nuk bien dakord banorët e pallatit nr 146 në zonën e Kombinatit.

Ndërtesa e tyre u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit dhe nga Bashkia e Tiranës u cilësua e pabanueshme ndaj u vendos dhe shembja e saj.

Por kjo çështje i çoi në gjyq banorët me bashkinë ku Administrativja pezulloi përkohësisht vendimin, pasi nga një ekspertizë e bërë nga ekspertë të pajtuar nga qytetarët, pallati ka vetëm dëme të vogla.

"S'ka pasur dëmtime fare, se po të kishte dëmtime unë do kërkoja ndihmë nga bashkia. Në vendimin e parë e nxorën për riparim, vijnë ca të tjerë që nuk e kanë parë objektin dhe thonë ekspertët  e bashkisë e kanë nxjerrë të pabanueshëm," thotë banori.

"Unë personalisht u mora me të dyja ekspertizat e këtij pallati këtu dhe pallatit 145 të  cilët janë pallate identike dhe evidentova problemet që qëndrojnë me ekspertizat, dhe si hap të dytë ne bëmë ekspertizën tonë. Pra morëm 3 ekspertë të cilët erdhën dhe panë gjendjen fizike të pallateve tona," thotë administratori.

Administratori  i pallatit dhe banorët thonë se vendimi i Bashkisë për shembjen e saj ka prapavijë politike.

"Zoti Rama dhe zoti Veliaj e kanë futur në planet e tyre për ta shembur jo sepse është për t'u shembur, por sepse ashtu duan dhe e keqja e kësaj është që zoti  Veliaj po vazhdon të bëhet kasnec i planeve të zotit Rama për të rrafshuar në emër dhe me justuifikimin e tragjedisë natyrore të pallateve që janë për t'u shembur dhe të pallateve që nuk janë për t'u shembur," thotë ai.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, banorët jetojnë të pashqetësuar në shtëpitë e tyre duke refuzuar çdo ofertë nga bashkia.

Për këtë çështje janë ngritur 4 padi nga ana e banorëve. Sipas administratorit të pallatit, në akt-konstatimin e bashkisë ka disa parregullsi, ndaj u jep shpresë për fitoren ligjore finale  ndaj këtij institucioni.