Rama kërkon majat e pushtetit: Sa më lart të ngjitesh....
Për të qëndruar edhe 4 vite në qeveri, Edi Rama është i gatshëm të bëjë gjithçka.
Madje kryesocialisti gjatë takimit me strukturat e mazhorancës në Belsh pohoi se në 8 vite ende nuk e ka arritur majën e pushtetit, objektiv që do të dojë ta arrijë me një mandat të tretë.
Edi Rama: "Shqipëria e vitit 2030 është një ëndërr që e kam parë me sy hapur. Ne po ngjitemi drejt asaj maje dhe unë dua të vazhdoj t'i vë të gjitha energjitë e mia, mishin dhe shpirtin që ne ta arrijmë atë majë. Thonë se, kur nisesh drejt një maje, sa më afër majës, aq më e largët duket maja. Sepse këmbët janë shenja lodhje, sepse zemra rreh fortë e më fortë, se mendja të thotë ndalu, ulu, pusho. Ose akoma më keq, të thotë “shiko se mos ka ndonjë rrugë tjetër”. Në këtë moment njeriu, komunitet, populli, një komb i tërë sprovohet, për të fituar apo për të humbur.
Rama kërkon të bindë shqiptarët se mandati i tretë është një betejë për Shqipërinë dhe jo një fitore personale e tij, por lideri i mazhorancës “harron” që 152 kandidatë brenda PS kanë nisur luftën edhe brenda llojit për të marrë një karrige në Parlament.
"Mandati i tretë është si ajo fraza e bukur e asaj këngës së famshme popullore, as për mua, as për ty, por për të gjithë Shqipërinë," tha ai.
Mazhoranca e Edi Ramës akuzohet për patronazhimin e të dhënave personaleve të qytetarëve në interes të PS, por për këtë çështje ende nuk ka dhënë llogari.
Ama kryesocialisti pretendon se e di se ku do të përfundojnë shqiptarët po të votojnë alternativën e opozitës.
"Çfarë i ndodh një populli kur shkon pas Sudes, pas Vebiut dhe Xhaferrit? Kështu është edhe oferta e tyre, jep votën të të jap lekë," thotë Rama.
PS dështoi ta bëjë realitet premtimin e PS për t’u dhënë të drejtën e votës shqiptarëve të Diaspores, por në prag të 25 prillit, mazhoranca ka një tjetër ofertë për emigrantët e zhgënjyer.
5 mijë euro grante për çdo investim në agroturizëm nga na e shqiptarëve që jetojnë jashtë, madje pa ju kërkuar llogari për prejardhjen e parave.