Avokati kallëzim penal UK dhe OSHE në Vlorë: Në tre muajt e fundit janë bërë punësime elektorale për marrjen e votave

Çdo prag zgjedhjesh administrata shtetërore dhe lokale në Shqipëri fryhet nga të ashtu-quajturat punësime elektorale.

Sipas denoncimeve përjashtim nuk po bëjnë as ky proces zgjedhor  ndërsa fenomeni është i shtrirë thuajse në të gjithë vendin.

Dy avokatë kanë kallëzuar në prokurorinë e Vlorës Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve dhe OSHEE për punësime me qëllim elektoral në favor të Partisë Socialiste në pushtet.

Avokati Kujtim Cakrani tha se informacionet janë siguruar në rrugë konfidenciale ndaj i kërkoi Prokurorisë që të hetojë fenomenin që sipas tij është zhvilluar kryesisht tre muajt e fundit.

"Janë qëllime krejt elektorale, është shumë e thjeshtë për organin e akuzës nëse organi i akuzës të Vlorës nuk do të bëhet zgjatim i politikës," thotë avokati Cakrani.

Bashkia e Tiranës, rezulton sipas raporteve se është një prej njësive të qeverisjes vendore që ka fryrë më shumë administratën gjatë periudhës parazgjedhore.

Ne kundërshtim me reformën territoriale, institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj që njëherësh me funksionet e kryebashkiakut kërkon vota edhe për PS ka rekrutuar vetëm në një vit 488 punonjës të rinj.

Në raportin  e fundit të qeverisjes vendore thuhet se gjatë vitit që lamë pas në 61 bashki u punësuan 901 qytetarë më shumë, duke rënduar kështu situatën me financat vendore.

Rezultojnë vetëm 2 njësi të vetëqeverisjes vendore të cilat nuk kanë ndryshuar numrin e punonjësve, ndërsa me ulje raportohen Dibra, Kamza dhe Lezha.

https://youtu.be/2O_y1-kAsR0