Asfalti elektoral, banori: Veliaj sheh Tiranën për ndonjë pallat për vete, për ne s'e çan kokën fare

Prej shumë vitesh rrugët në Farkë të vogël janë lënë të degraduara.

Edhe pse banorët e kanë ngritur disa herë si shqetësim në njësinë administrative, bashkia nuk ka ndërhyrë.

Por kur na ndajnë më pak se dy javë nga zgjedhjet parlamentare, pushteti vendor është kujtuar për të shtruar disa rrugica, një ndër to edhe rrugën "Mehmet Plaku."

Vetë banorët e zonës thonë se rruga është shtruar pjesërisht, çka i nxit dyshimin se ndërhyrja është bërë për qëllime elektorale.

"Vazhdimisht në kohë zgjedhjesh bëhet ndonjë punë se s’bëhet më asgjë," thotë banori.

Banorët shprehen se i kanë thënë që nuk ka buxhet për përfundimin e saj.

"S’kemi buxhet na ka thënë kryetari i njësisë," shton banori.

Nga pushteti vendor kjo lagje nuk ka parë asnjë investim.

"Ka 8 vjet që s’e ka parë askush këtë zonë. Kryetari i bashkisë të shohë Tiranën njëherë të bëjë ndonjë pallat për vete, për ne s’e çan kokën fare, " thotë ai.

Edhe pse punimet e këtij segmenti filluan në fillim të muajit prill në zonë nuk kishte asnjë tabelë informuese në lidhje me projektin, por edhe shumën që u harxhua për asfaltimin e kësaj rrugice.