Snajper, municion luftarak dhe drogë/ Arrestohet 29-vjeçari në Vlorë
Finalizohet operacioni policor i koduar "SIG", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë ka çuar në sekuestrimin e një armë zjarri snajper, një sasi municioni luftarak, dhjetëra doza me lëndë narkotike kanabis dhe një palë dylbi optike.
Vihet në pranga poseduesi i tyre, shtetasi Klaudio Xhaferraj, raporton Ora News.
Policia Vlorë: Në vijim të kontrolleve të ushtruara në të gjithë qarkun e Vlorës, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në lagjen “Partizani”, Vlorë, një shtetas mbante në banesë, armë zjarri pa leje, si dhe ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar "SIG", si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit K. Xh., 29 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhjetëra doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, një armë zjarri snajper, 64 fishekë dhe një palë dylbi optike.
