Tjetër tender OST, edhe 1 milionë dollarë 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit
Operatori i Sistemit të Transmetimit nuk di të ndalet me tenderat në vlera të konsiderueshme pasi së fundi ka vendosur të japë 1 milionë dollarë në një procedurë që do të zhvillohet vetëm 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Vendimet e ndërmarrjes së drejtuar nga Skerdi Drenova janë anuluar disa herë edhe nga Komisioni i Prokurimeve Publike pasi janë konstatuar me shkelje.
Operatori i Sistemit të Transmetimit vijon të prokurojë tendera me shifra të konsiderueshme vetëm pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare.
Për tenderin me objekt “Zgjerimi i sistemit të lokalizimit të defekteve në Linjat e Tensionit të Lartë” është përcaktuar një fond limit prej më shumë se 1 milionë dollarësh.
Referuar të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike kompanitë kanë afat për të dorëzuar dokumentet dhe ofertat e tyre deri në datën 21 prill, pra vetëm 4 ditë para votimeve.
Kjo është procedura e dytë me vlera të konsiderueshme e zhvilluar nga institucioni nën drejtimin e Skerdi Drenovës.
I tillë ishte dhe rasti për Furnizimin dhe Vendosjen Shunt Reaktor dhe të tjerave me një fond limit 5 milionë dollarë.
Në këtë rast operatorët ekonomikë do të duhet të dorëzonin dokumentacionin deri në datën 19 prill.
Prokurimet e zhvilluara nga ndërmarrja e OST-së janë renditur shpesh si problematike edhe nga Open Data për shkak të mungesës së konkurrencës apo kritereve të tepruara.
Në disa raste ka qenë Komisioni i Prokurimit Publik që ka anuluar vendimet e institucionit që Skerdi Drenova drejton duke i konsideruar ato të parregullta.
Nga viti 2019 dhe deri në mars të 2021 OST rezulton të ketë realizuar 23 tendera ku janë skualifikuar të gjithë pjesëmarrësit me përjashtim të fituesit dhe në 31 të tjerë ka marrë pjesë vetëm një kompani.