LSI denoncon në KQZ tre zyrtarë të lartë të administratës në Vlorë: Morën pjesë në fushatë
Lëvizja Socialiste për Integrim e Qarkut të Vlorës ka denoncuar në KQZ, tre zyrtarë të lartë të administratës publike të cilët sipas kësaj partie kanë shkelur ligjin duke marrë pjesë në takimet elektorale të kandidatëve të Partisë Socialiste.
LSI bën me dije se bëhet fjalë për Anjeza Shiko, drejtoresha e Tatim Taksave në Bashkinë e Vlorës, Francesko Mucaj, drejtor i Shërbimit të Provës në Vlorë dhe Klajdi Myzaferi në pozicionin e Drejtorit të Formimit Profesional në Zyrën e Punës.
Në denoncimin e LSI thuhet se të tre këto zyrtarë kanë shkelur ligjin dhe vendimin numër 9 të KQZ marrë më datë 24.12.2020.
"Më datë 06.04.2021 kandidati për deputet i Partisë Socialiste ka postuar në faqjen e tij zyrtare Facebook një veprimtari publike ku ka qenë pjesë dhe Anjeza Shiko drejtoresha e Tatim Taksave në Bashkinë Vlorë me mbishkrimin “Çfarë do të thotë, të kesh mbështetjen e një vlonjati? Do të thotë të kesh një ushtri të gjithë në krahë. Imagjinoni të kesh mbështetjen e qindra, mijëra vlonjatëve. #QëndrojmëBashkë #Voto12PS #VloraRock ”
Pjesëmarrja e Anjeza Shiko është në kundërshtim me vendimin nr 9, datë 24.12.2020 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Më konkretisht në nenin 3, pika 2 e këtij vendimi “Kryeministri, administrate e tij, Zëvendëskryeministri, ministri dhe zëvendësministri, administrate e tyre, kryetari i bashkisë zëvendësit dhe administrate e tij, Prefekti dhe administrate e tij, drejtori i përgjithshëm i agjencive apo institucioneve në varësi të Kryeministrit, Këshillit të Ministrave ose Ministrit, drejtori i përgjithshëm, drejtorët e departamenteve, drejtorët e drejtorive dhe administratat respektive, drejtuesit dhe anëtarët e organeve kolegjiale, enteve, bordeve, çdo drejtues i shoqërive tregtare në administrim nga shteti dhe në çdo ent ku shteti zotëron aksione e kapitale/kuota apo emëron shumicën e organit mbikëqyrës ose të organit administrues, titullari dhe zëvendësit e tij për ndërmarrjet shtetërore, gjatë periudhës kohore 4 muaj para datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve, e kanë të ndaluar të drejtojnë, të marrin pjesë apo të kontribuojnë në çfarëdolloj forme,në veprimtari publike të ndaluara sipas këtij vendimi. Për sa mësipër kërkojmë shqyrtimin e rastit nga ana juaj dhe marrjen e masave sipas parashikimeve të vendimit."