Vrasja e Altin Balliut, prokurori ndryshon akuzën në momentin e fundit/ Nga “Vrasje me paramendim” në “Vrasje me Dashje”
Dosja penale që flet për vrasjen e Altin Balliut, në 17 janar 2019 në qytetin e Korçës, ka pësuar një ndryshim akuze dhe kjo gjë ka ndodhur në fazën përfundimtare të procesit gjyqësor.
“Ora News”, mëson se përfaqësuesi i Prokurorisë së Korçës, Edmond Shytko, pas shqyrtimit gjyqësor, ka dalë në konkluzionin se Olger Mustafa, personi i pandehur për vrasjen e Altin Balliut, nuk duhet të akuzohet për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” por për akuzën e “Vrasjes me dashje”.
Ky ndryshim qëndrimi i prokurorit Shytko për kualifikimin e akuzës, vjen dy vite pas hetimit dhe gjykimit të çështjes penale.
Ndër të tjera, prokurori në kërkesën për ndryshimin e akuzës ndaj të pandehurit Olger Mustafa, del kundër vendimit të gjyqtares Sonjela Voskopi, e cila në cilësinë e gjyqtares paraprake ka vendosur në datën 3 mars 2020 që të kualifikojë dhe orientojë gjykimin kundër Maustafës, për akuzën e “Vrasjes me paramendim”.
Nga ana tjetër, i pandehuri Olger Mustafa, ka shfaqur pendesë për krimin e rëndë, duke pretenduar se ka qëlluar viktimin Altin Balliu, në kushtet e tronditjes së fortë psiqike.
E gjithë beteja ligjore tashmë nuk po bëhet për provueshmërinë e autorësisë së këtij krimi të rëndë të ndodhur në Korçë vetëm 17 ditë pas Vitit të Ri 2019, por për mënyrën e kualifikimit të akuzës, ku prokuroria pretendon se kemi të bëjmë me “Vrasje me dashje” dhe jo “Vrasje me paramendim” apo qoftë dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” të një ose më shumë personave, siç pretendojnë familjarët.
Të dyja këto vepra penale kanë masë të ndryshëm dënimi, ku me akuzën e “Vrasjes me dashje” që e ka çuar prokuroria, autori i krimit përfiton një denim të ulët nga akuza tjetër siç është “Vrasja me Paramendim”.
Ndërkohë veç akuzës së vrasjes ndaj Mustafës është ngritur dhe akuza e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit”. Lidhur me këtë çështje pritet që ditën e sotme në gjykatën e Korçës, të zhvillohet seanca e rradhës, ku prokurori Shytko të lexojë konkluzjonet përfundimtare dhe të japë verdiktin e tij para gjykatës, se sa do jetë masa e dënimit që kërkojë për të pandehurin Olger Mustafa.