Rama e quajti "Leshko", lirohet ish ish-drejtori i Aviacionit Civil, Petrit Sulaj
Pas gjashtë orësh shoqërimi në ambjentet e Drejtorisë së Policisë Tiranë është lënë i lirë ish-drejtori i Aviacionit Civil, Petrit Sulaj.
Ai u mor në pyetje në policinë e Tiranës, ku sqaroi rrethanat e komunikimit me të ndaluarit, kontrollorët e Albcontrol, sepse rezultonte të kishte komunikime me ta.
Sipas asaj që raporton gazetarja e Ora News Keti Banushi, ai është shprehur para policisë se nuk ka qenë pro ndalimit të punës por pro dialogut.
Ai u shoqërua mbrëmjen e djeshme pasi numri i tij i telefonit doli tek bisedat e kontrollorëve që gjithashtu u shoqëruan në polici.
Sulaj është lakuar së fundmi edhe nga kryeministri Edi Rama, pasi ky i fundit ka akuzuar presidentin Meta për ngërçin që u krijua në kullën e vrojtimit.
Kryeministri i është referuar Sulajt si “Leshko” pseudonim me të cilin e njohin miqtë. Kreu i qeverisë akuzoi dje drejtpërdrejt presidentin duke i thënë se “fsheh dorën me Leshkon”.