Valle, dekorata dhe "këshilla" për 25 Prillin, Meta nga Kruja: Votoni bijtë e bijat tuaja më të mirë!
Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie solemne personalitete të spikatura të artit, kulturës dhe traditave të Krujës.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar artistëve të Grupit karakteristik “Pleqtë e Krujës”, drejtuesve dhe anëtarëve të “Shoqatës së Restoranteve Turistike”, si dhe qytetarëve krutanë të pranishëm, Presidenti i Republikës u shpreh:
“Sot është një ditë e veçantë të jemi bashkë në Krujë, në qytetin ku historia, bukuria, madhështia dhe krenaria qëndrojnë kaq pranë njëra-tjetrës!
Kruja dhe kështjella e Kastriotëve qëndrojnë në shekuj si dëshmia më e palëkundur e identitetit tonë kombëtar dhe atij europian.
Më vjen mirë, që kjo trashëgimi shekullore është vendosur në shërbim të së ardhmes, të mbijetesës dhe prosperitetit të banorëve të saj.
Krutanët, falë iniciativës së bijve të tyre kanë ditur, që këto pasuri t’i shndërrojnë në favor të turizmit, mirëqenies dhe zhvillimit të jetës në këtë trevë.
Këtu çdo vizitor mahnitet nga bukuria epike e malit të Skënderbeut, Kështjella, Muzeu Historik dhe ai Etnografik, nga pazari karakteristik dhe deri tek Sarisalltiku mistik!
Falënderoj përzemërsisht ‘Lidhjen Kulturore Folklorike Skënderbeu’ si dhe ‘Shoqatën e Restoranteve Turistike Shqiptare’ për idenë e zhvillimit të aktivitetit në këtë sfond kaq të bukur e domethënës!
Në Krujë mund të përjetosh këngët e vallet e bukura popullore, kostumet shumëngjyrëshe të mishëruara tek grupet folklorike, mikpritjen dhe bujarinë si dhe artin e gatimeve të shumëllojshme të mjeshtërve krutanë.
Sot, nga ky gjerdan i vlerave krutane kemi zgjedhur të vlerësoj disa prej atyre personaliteteve, të cilët me aktivitetin e tyre kanë kontribuar aq shumë për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë folklorike krutane, por edhe për nxitjen e turizmit, duke filluar me Grupin karakteristik të "Pleqve të Krujës", i cili është tashmë personifikimi i vlerave etnokulturore krutane.
Për 64 vite me radhë artistët e këtij grupi janë shndërruar në simbol të Krujës, por edhe të kulturës tradicionale shqiptare, me një kontribut cilësor shumëvjeçar të veprimtarisë së tyre artistike e folklorike.
Në suksesin e këtij grupi kanë meritë të gjithë artistët, ku padyshim më i spikaturi ngelet drejtuesi artistik i tij, zoti Mehmet Llubani, të cilin kam kënaqësinë ta vlerësoj sot me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’, për aftësitë e larta si krijues, drejtues artistik i grupit dhe studiues i folklorit dhe vlerave kulturore të traditës krutane.
Të nderuar miq, sot mes nesh është dhe zoti Kujtim Dervishi, drejtuesi i ‘Shoqatës Kombëtare të Restoranteve Turistike Shqiptare’, e cila promovon fort vlerat dhe traditat e gastronomisë dhe nxit përpjekjet e restoranteve shqiptare të jenë në lartësinë e kërkesave turistike.
Duke marrë në konsideratë propozimet e ‘Shoqatës së Restoranteve Turistike Shqiptare’, ne vlerësojmë sot dy bashkëqytetarët tuaj, mjeshtrin dhe menaxherët zotin Bujar Bardhi dhe zotin Dragush Gega.
Me dëshirën për ta bërë Krujën një atraksion turistik dhe për t’i dhënë çdo vizitori kënaqësinë për t’u rikthyer sa më shpejt në Krujë, ju premtoj se ne do të rikthehemi sërish këtu, dhe do të mirëpresim edhe vlerësime të tjera për shumë personalitete të Krujës në fusha nga më të ndryshmet.
Pandemia nuk mund ta pengojë gjatë pranverën turistike dhe jetën ekonomike kulturore të krutanëve dhe të shqiptarëve!", tha Meta.
Ndërkohë nuk munguan as "këshillat" kur jemi rreth tre javë larg zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit.
"Njëkohësisht, në këto ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit, ju ftoj të gjithëve, që sipas bindjeve tuaja të merrni pjesë aktive, të mos lejoni cenimin e të drejtës suaj nga askush për të votuar të lirë dhe me dinjitet!
Të zgjidhni me ndërgjegje bijtë dhe bijat tuaja më të mirë!
Të votoni ata kandidatë, që ju mendoni se do t’ju japin zgjidhjet më të mira për hallet tuaja dhe që ta bëjnë Krujën një vend edhe më të dashur për të jetuar për ju, për të rinjtë, edhe për fëmijët tuaj, por edhe një vend më të vizituar nga të gjithë shqiptarët dhe nga turistët në të ardhmen!
Ju falënderoj për të gjithë kontributin tuaj për ruajtjen e traditave sepse është shumë e rëndësishme që ta forcojmë identitetin tonë kombëtar dhe të integrohemi në Europë si krutanë dhe si shqiptarë!”, tha ndër të tjera Presidenti i Republikës Ilir Meta.