Kërcënimet pas videos me Klosin, 35-vjeçari: Jam një fshatar i thjeshtë, hallexhi...

Personi që filmoi reagimin e fortë të një qytetari ndaj drejtuesit politik të PS në Berat, Blendi Klosi, denoncon se është kërcënuar, pasi video e debatit u bë virale në rrjetet sociale. 35-vjeçari, Xhimi Gjishti, në një denoncim publik kërkon ta lënë të qetë atë e familjen e tij.

Publikimi në rrjetet sociale i kësaj videoje ku një qytetar i Bashkisë Dimal shpërthen ndaj ministrit të Turizmit, Blendi Klosi, për keqeverisje duket se nuk u ka pëlqyer socialistëve.

Të paktën ky është pretendimi i 35-vjeçarit, Xhimi Gjishti, njeriut që zbuloi anën e padukshme të fushatës për mandatin e tretë, i cili denoncon se është kërcënuar pasi video u bë virale.

Lexo edhe: U kërcënua pasi filmoi qytetarin duke iu ankuar Klosit/ Policia: S’ka asnjë provë, Alizoti: U tentua të merrej me forcë

Babai i dy fëmijëve thotë se ai videon nuk e publikoi për politikë ndaj kërkon ndaljen e kërcënimeve dhe që familja e tij të lihet e qetë.

“Unë thjesht filmova. Për qejfin tim. As punë politike, as për gjë. Thjesht filmova pjesën time dhe e hodha te JOQ. Pasi e hodha, pas nja dy orësh më kanë marrë në telefon me numër privat. Më kanë fyer. Edhe unë i kam fyer dhe u thashë nëse je burrë më merr me numër.

Pas dy orësh më morën prapë. Se i njëjti person, se tjetër, nuk e di. Prapë të njëjtën gjë u thashë dhe e kam fikur telefonin për një farë kohe dhe e kam hapur.

Unë bëj apel të mos më kërcënohet familja. Të jem i qetë. Unë nuk e kam hedhur as për punë politike. Unë jam një fshatar i thjeshtë. Hallexhi. Punoj për veten time”, u shpreh Gjishti.

35-vjeçari pranon se nuk ka bërë kallëzim në policinë e Beratit për presionet me të cilat është përballur.

Keni dashur të bëni denoncim në polici?

“Jo. Jo. S’dua ta bëj legjendë të madhe. Thashë do ia dal vetë me të drejtat e mia”.

Policia e Beratit në reagim pas denoncimit publik të 35-vjeçarit thotë se ai nuk pranoi të bëjë kallëzim dhe as të shpjegojë rrethanat, por drejtuesi politik i PD-së denoncoi se blutë kanë tentuar ta shoqërojnë me forcë.

Incidenti u shënua gjatë një takimi të Blendi Klosit në Bashkinë Dimal në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit.

Lexo edhe: Qytetari ia përplas në sy Klosit: Po na mashtroni, s’keni bërë asgjë në 8 vjet, çfarë mandati të tretë kërkoni?

https://youtu.be/80CZBHhJQpI