Basha me të rinjtë në Durrës: 25 prilli ka të bëjë me të ardhmen tuaj këtu dhe jo të ikni emigrantë
Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me të rinjtë e Durërsit.
Basha u shpjegoi të rinjve planin e Partisë Demokratike i cili parashikon mbështetje për studentët dhe të rinjtë shqiptarë. Ai përsëriti zotimin se me bashkëpunimin me Aleancën Europiane të Universiteteve, qeveria e ardhshme do t’u sigurojë kualifikime që do të jenë të aksesueshme për studentët shqiptarë dhe për të rinjtë shqiptarë pa pagesë dhe që do u mundësojë punë me paga dinjitoze.
Ai gjithashtu tha se angazhim i qeverisë së ardhshme do të jetë edhe ofrimi i 5 gjuhëve të huaja falas online, anulimin e ligjit për arsimin e lartë, mbështetjen e studentëve me bursa dhe rritjen e autonomisë së universiteteve.
"Para dy javësh patëm një konferencë me Aleancën Europiane të Universiteteve dhe Komisionin Europian ku folëm me të paktën 6 universitete gjermane dhe austriake për 20 kualifikime online duke filluar nga shtatori, kualifikime që do të jenë të aksesueshme për studentët shqiptarë dhe për të rinjtë shqiptarë pa pagesë, domethënë pagesa do të merret përsipër nga një kombinim midis fondit të Shqipërisë me fondet e Bashkimit Europian. 20 fusha të ndryshme duke përfshirë dhe fushën e turizmit që ka nevojë për njerëz të përgatitur nga të gjitha nivelet, nga menaxhimi lartë e deri tek profesionistët e përditshëm që do të bëjnë shërbimin pa të cilin nuk do të ketë dot turizëm.
Po kështu duke filluar nga 1 shtatori përmes një platforme amerikane, qeveria ime do të ofrojë 5 gjuhë të huaja falas online për rininë shqiptare që janë anglishtja, frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja dhe spanjishtja."
Basha shtoi se 25 prilli nuk ka të bëjë me PD apo me PS, por ka të bëjë me të ardhem e vendit.
"Për 10.000 studentë çdo vit një praktikë 12 mujore e paguar me 300 mijë lekë të vjetra në muaj janë pjesë të programit tonë, të llogaritura, të futura në buxhetin e parë të qeverisë tonë të ardhshme dhe që do të vihen në zbatim prej muajit tonë të parë. Dhe kjo do të mundësojë që studenti shqiptar mos të jetë në një realitet si Liza në botën e çudirave, ku nga njëra anë universiteti është nën presion, pedagogët janë të nënpaguar, janë të nënçmuar, qeveria ka centralizuar gjithçka, mësimi dhe në teknologjinë e informacionit bëhet në dërrasë të zezë me shkumës. Nuk është e rastësishme që në planet tona, në programin tonë gjithçka që ka të bëjë me problemet, me sfidat, me dilemat që ju kanë përballur këto 8 vite zë një vend kryesor për ta shpënë në formën e zgjidhjeve të formuluara si përgjigje konkrete ndaj këtyre problemeve dhe sfidave. 25 prill nuk ka të bëjë me Lulzim Bashën apo Edi Ramën, me PD apo me PS. Ka të bëjë me, do të keni një të ardhme në qytetin tuaj të mrekullueshëm apo do të vazhdoni të largoheni orët e para të mëngjesit nga stacionet e autobusëve si emigrantë.” – tha Basha.