"Kosova zgjedhje apo zgjidhje" Bytyqi: Kosova nuk dëmtohet nëse Vjosa Osmani bëhet presidente
Analisti dhe studiuesi i çështje së Kosovës Enver Bytyqi i ftuar në studion e RTV Ora me gazetarin Xhoi Malësia ka analizuar situatën në të cilën ndodhet Kosova për votimin e presidentit.
Sot është dita e dytë që Kuvendi i Kosovws mblidhet për të siguruar votat për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sheh një zgjedhje apo zgjidhje në horizont?
"U njoftua nga z.Konjufca se në orën 17:00 rifilloi seanca plenare e parlamentit të Kosovës për të zgjedhur Presidentin ose Presidenten e re të Kosovës.
Për të zgjedhur Presidentin e vendit Kosovës i duhet që të marrin pjesë në votim së paku 80 deputetë dhe në dy raundet e para të votojnë gjithashtu 80 deputetë. Nëse jo në raundin e tretë votojnë 50% plus 1, do të thotë 61 deputetë.
Nëse nuk realizohet kuorumi prej 80 deputetësh nuk njihet procesi i votimit. Dështimi i mbrëmshëm ishte një mësim për të gjitha palët, është mësim dhe për Z.Kurti.
Ai nuk do të duhet të bënte provokimin e tij me ligjin për zgjedhjet. Së dyti ishte imitim i politikave jo demokratike ballkanike dhe sidomos shqiptare dhe për pasojë mendoj që ai akt ishte i dëmshëm për të ndikuar në tërheqjen e deputetëve të opozitës në mbështetjen e zonjës Osmani, por i dëmshëm edhe për proceset demokratike."
Nëse opozita vazhdon të refuzojë, do të ketë një kosto të madhe?
"Opozita për mendimin tim i është bashkuar listës sërbska.
Qëndrimi i opozitës është një qëndrim që shkon në dobi të Beogradit dhe të listës sërbska. Destabilizimi i Kosovës në çfarëdolloj mënyre, çfarëdolloj forme është llogari e Beogradit dhe jo e Kosovës dhe qytetarëve, jo i shtetit jo i institucioneve të Kosovës.
E gjithë kjo sjellje është e gabuar edhe për një arsye tjetër. Kosova dëshmoi me zgjedhjet se është një vend demokratik, ndërsa me largimin nga salla e parlamentit po dëshmon se ka një politikë bojkoti. Bojkoti për vendet demokratike të mirëfillta është i papranueshëm.
Opozita edhe për shkak të aktit të bojkotit duhet të llogarisë se nuk i ndihmon demokracisë.
Është e drejtë e deputetit të votojë kundër, të abstenojë, të votojë pro, por jo të mos marrë pjesë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, po paguan koston e qëndrimeve të tilla të të gjithë opozitës.
Në rrëzimin e parë të qeverisë Kurti dhe ardhjen e qeverisë Hoti, Partia Demokratike dhe z.Thaçi ja hodhën përgjegjësinë Lidhjes Demokratike.
Partia Demokratike sot po përdor një skemë për të dëmtuar Lidhjen Demokratike. Po të vëmë re, ditën e djeshme më 3 prill e gjithë vëmendja u përqendrua te 4 deputetë të Lidhjes Demokratike të cilët nuk pranuan të marrin pjesë në votim për presidenten e vendit.
Kjo ndodhi sepse u shpërqendrua vëmendja nga bojkoti që bëri Partia Demokratike dhe partia e z.Haradinaj.
Kështu të gjithë përgjegjësinë në opinionin publik po e merr lidhja Demokratike, ndërkohë që LD me vendim politik është e gatshme të qëndrojë në sallë.
Tre deputetët e LDK-së Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj të cilët nuk votuan vazhdojnë ta mbajnë peng Lidhjen Demokratike.
Çështja është se ata duhet të kuptojnë se dëmtojnë Lidhjen Demokratike, dëmtojnë Kosovën me qëndrimet që mbajnë."
Mund të shpëtojë kjo krizë nga Xhavit Haliti?
"Një deputet duhet për të shpëtuar nga kriza, Xhavit Haliti është njëri nga këta i mundshëm është edhe një deputet i pakicave jo serbe me të cilin zoti Kurti ka biseduar ditën e sotme.
Në votimet e ditës së sotme unë mendoj se çështja do të zgjidhet.
Inati në dëm të vendit kapërcen çdo lloj përmase të qëndrimeve politike."
Po z.Kurti mund të ishte disi më tolerant në këtë pjesë?
"Vjosa Osmani nuk është në partinë e z.Kurti, është në koalicion me partinë e tij. Ata kanë pikëpamje dhe qëndrime jo të njëjta sa i takon zhvillimeve praktike.
Vjosa i përket vizionit të së djathtës, z.Kurti vizionit të së majtës, janë bashkuar aty për të gjetur një mesatare.
Vjosa në postin e Presidentit ekuilibron qeverisjen e z.Kurti. nuk mund të thotë askush se Vjosa Osmani sidomos në postin e Presidentit do të jetë shtojcë e aksioneve politike të z.Kurti. është e pamundur të ndodhë kjo, për shkak të pozicioneve që do të kenë në institucione në barabarta.
Kosova nuk dëmtohet nëse Vjosa Osmani bëhet presidente.
Së dyti, është politikania më e votuar në 20 vitet e fundit në Kosovë.
Do të ishte e udhës që dhe Tirana të ishte një zë për Kosovën në këto momente apo do të klasifikohej si ndërhyrje?
Kjo është një çështje brenda partive politike të Kosovës dhe normalisht Tirana zyrtare ose jo zyrtare mundet që të përdorë influencën e vet jo publikisht të lidhjeve të ngushta me x ose y politikan për të harmonizuar veprimet me qëllim që Kosova mos dëmtohet nga një krizë tjetër.
Unë as kam pritur dhe pres që z.Rama të interesohet dhë të ndërhyjë për shkak se nuk ka relata me asnjërin prej protagonistëve të partive kryesore."