Drejtuesi politik i LSI në qarkun e Beratit: Do ta bëjmë Kuçovën zonë të lirë ekonomike

Drejtuesi politik i LSI në qarkun e Beratit, Ardit Çela ka prezantuar planin ekonomik për Kuçovën dhe më gjerë, për gjitha qarkun e Beratit.

Në fjalën e tij Çela u shpreh se LSI do të realizojë krijimin e një zone të lirë ekonomike, e cila do të jetë një zonë e sigurt për investimet e huaja.

"Programi ekonomik i LSI përfshin ndër të tjera edhe krijimin e zonave të lira ekonomike, të cilat janë zona të caktuara brenda territorit doganor, në të cilat shoqëritë përfitojnë lehtësi nga taksat, subvencione për investimet, trajtime doganore preferenciale dhe procedura të thjeshtuara administrative.

LSI e ka një vizion për Kuçovën dhe për qarkun e Beratit. LSI do të bëjë të mundur realizimin e një zone të lirë ekonomike pikërisht në Kuçovë. Ne kemi zgjedhur Kuçovën pasi është një qytet shumë afër Portit të Durrësit dhe Tiranës, një qytet ku kemi një bazë të NATO-s, që e bën edhe më të sigurt për investitorët e huaj. Një qytet me papunësi të madhe, ku të rinjtë nuk e shohin më të ardhmen në këtë qytet dhe pa një ndërhyrje të kësaj natyre, Kuçova do të shuhet dita – ditës.

Ne kemi ndjekur modelin e investimeve në zonat e lira në vendet fqinje si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe jemi të bindur se me një vëmendje serioze që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ky model do të japë rezultatet e pritshme edhe tek ne. "

Ndër të tjera Çela u shpreh se krijimi i një zone të lirë ekonomike do të sjellë brenda tre viteve një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja dhe punësimin e rreth 2 mijë personave.