Rama me biznesin e vogël: Na duhet mandati i tretë pas tërmetit e pandemisë, Luli fle kudo ku ta lësh
Gjatë takimit me biznesin e vogël në Fier, kryesocialisti Edi Rama ka akuzuar PD, pasi sipas tij taksa e sheshtë do të pasurojë të pasurit në kurriz të të varfërve. Ndërsa kërkoi votën për mandatin e tretë, Rama u kujton atyre ndryshimin mes tij dhe kandidatit për kryeministër Lulzim Basha.
Për të kërkuar votën për 25 prill socialistët harrojnë edhe Pashkët e besimtarëve katolikë.
Edhe pse kryeministri nuk ndalet për fushatë elektroale, Fieri me anë të vezëve të dhuruara gjatë vizitës së tij në qendrën e vaksinimit i kanë kujtuar se e diela është një ditë feste.
Për të kërkuar votën për mandatin e tretë, kryesocialisti Edi Rama lidh çdo sukses apo fatkeqësi natyrore me pushtetin e tij në 8 vite.
"Nuk vijmë nga dy mandate, ne vijmë nga një mandat dhe një luftë në dy fronte."
Rindërtimi dhe vaksinimi deri me 25 prill do të jenë dy objektivat kryesore të PS në fushatë elektorale.
"Duhet të dalim sa më shpejt nga tuneli i pandemisë, gjë që po e bëjmë përditë me vaksinimin masiv."
Gjatë takimit me biznesin e vogël në Fier, Rama bëri edhe krahasimin mes taksës progresive të PS dhe asaj të propozuar nga PD.
"Sot biznesi i vogël e ka taksën zero dhe TVSH zero. Angazhimi ynë është shumë i qartë, me PS zero do të mbetet deri në 2029. Taksa e sheshtë është krijuar pikërisht për të mbështetur ata që janë më të pasur me një qasje brutale kapitaliste".
Batutat me kundërshtarin e tij politik janë rikthyer në rutinën e komunikimeve kryeministrore.
"9% të paguash për të çuar Lulin që të flejë në Kryeministri, por mund të flejë në shtëpi, në makinë, te partia, mund të flejë në lulishte. Luli fle kudo ku ta lësh."
Në drejtimin e PS, Edi Rama synon mandatin e tretë qeverisë për të qëndruar edhe 4 vite të tjera në pushtet.