Rruga "Ismail Qemali" në Astir e harruar nga bashkia, banorët: Sikur jemi në mes të xhunglës, jo në mes të Tiranës

Ndodhemi në një prej lagjeve të zonës së Astirit ku siç mund ta shihni nga pamjet, në vend të rrugëve ka vetëm gropa me ujë. Banorët shprehen të shqetësuar për këtë situatë, ndërkohë nga autoritetet nuk ka pasur interesim.

Në këtë gjendje kjo zonë vijon prej vitesh.

Në kohë me shi, gropat e rrugës “Ismail Qemali” kthehen në pishina të vogla.

Të kalosh me automjet pa e dëmtuar atë, është një mision i pamundur.

Bashkia e Tiranës është në dijeni për këtë problematikë, por duket se kërkesat e banorëve kanë rënë në vesh të shurdhët.

"Jemi interesuar, kam marrë firmën nga banorët dhe kam bërë kërkesën në bashki. Kam dhe numër protokolli këtu dhe asgjë. Erdhi inspektori para një jave, do ta shikojmë tha dhe akoma s'është bërë asgjë," thotë banori.

"Ka 6 vjet që jam unë banor në këtë lagje, s'ka asnjë investim këtu, vetëm kemi prishur makinat, gjoba s'kemi as ku parkojmë. Kalimi është i vështirë, imagjino i biem rreth e qark lagjes që mos kalojmë të kjo rruga këtu. Kryetari i bashkisë nuk sheh rrugët brenda lagjeve, po bën vetëm një inagurim të një rruge 1 kilometër," thotë një tjetër.

"Jemi ankuar kudo dhe në bashki as e ka çarë kokën," thotë një banor tjetër i zonës.

"Po s'ka më keq se kaq, dhe në xhungël të jesh. Ne jemi në mes të Tiranës. Kërkojmë rregull se paguajmë taksat një më një, i paguajmë të gjitha s'na fal asnjëri," shtoi ai.

Si ky segment ka në shumë zona të Tiranës, por ato kanë mbetur jashtë fokusit të bashkisë.