Vazhdon saga e zgjedhjes së Presidentit, a do ta sigurojë Vjosa Osmani votën e 80-të?

Deputetët e Kosovës do të marrin pjesë edhe sot në një seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit pasi të shtunën dy kandidatët, Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta, nuk i siguruan dot 80 votat e kërkuara.

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë këtë të dielë seancën për zgjedhjen e presidentit pasi në raundin e parë mungoi kuorumi i nevojshëm.

Për kandidaturat e Vjosa Osmanit dhe Nasuf Bejtës u shprehën më pak se 80 deputetët e kërkuar sipas Kushtetutës.

Mungesa e disa ligjvënësve nga radhët e LDK-së bëri që votimi të përsëritet dy herë por maksimumi i votave që u arrit ishte 79.

Kusari-Lila: Në rast se nuk arrijnë të kemi një votim të suksesshëm i bie që historia po përsëritet dhe Kosova mund të ballafaqohet me një raund tjetër të zgjedhjeve të përgjithshme nacionale për faktin se ish-kryeministri Avdullah Hoti, Agim Veliu ish-ministri dhe ish-zëvendëskryeministri Driton Selmanaj refuzojnë të marrin pjesë në votim.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të komuniteteve joserbe ishin të pranishëm në sallë, ndërsa opozitarët e PDK-së e bojkotuan procesin.

Hoxhaj: Më thoni ju mua një situatë ku presidenti i Republikës, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit kanë dalë në një listë zgjedhore. Prandaj pikërisht mënyra se si ne jemi sjellë sa kemi qenë në pushtet, tregon që në një demokraci si Kosova qeveris edhe partia e parë, dytë dhe tretë dhe opozita ka një rol në qeverisje. Kjo që po ndodh sot është një fillim i një ngulfatje të demokracisë. Një përpjekje për një super kapje të shtetit. Dhe një përpjekje për pushtet absolut.

Nga AAK-ja e Ramush Haradinajt deputetja Albena Reshitaj theu urdhrin e partisë për mospjesëmarrjen në votim, ndërsa bojkotit iu bashkua edhe Lista Serbe.

Presidenti i Kosovës duhet votuar nga të paktën 80 deputetë në dy raundet e para, dhe në raundin e fundit mjaftojnë 61 vota të cilat Lëvizja Vetëvendosja ka thënë se do ia japë ish-kryeparlamentares, Osmani.

Në pamundësi të zgjedhjes së saj brenda datës 5 maj, ndërkaq, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja pas 45 ditëve.