Dështon tentativa II për zgjedhjen e presidentit të Kosovës

Ora 21:40 Ka dështuar edhe votimi i dytë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Në votimin e dytë të raundit të parë, ishin vetëm 79 vota në kutinë e votimit.

Po ashtu edhe në votimin e dytë, tre deputetët e LDK-së, Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj, nuk kanë marrë pjesë.

Kjo ka bërë që të shkohet në pauzë 30 minuta për konsultim.

Në votimin e parë duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim.

Tre deputetët e LDK-së, Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj, nuk kanë marrë pjesë në votim në rundin e parë, duke bërë që të jenë vetëm 78 vota.

Kështu, është përsëritur rundi i parë i votimit për president.

Ora 20:40 Kuvendi i Kosovës ka nisur raundin e parë të votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit është Vjosa Osmani-Sadriu, e cila në këtë garë, për kundërkandidat do të ketë Nasuf Bejtën.

Në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca e jashtëzakonshme, ku pritet të votohet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Të pranishëm në sallë janë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe.

Nga ana tjetër, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Listës Serbe, po i bojkotojnë punimet e kësaj seance.

PDK dhe AAK kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në votimin e Osmanit.

Seanca për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës u nis qysh në orën 18:00.